Vetëmbytja e Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj të mitur në lumin Buna, ishte një nga ngjarjet më të rënda të raportuara në vendin tonë.
Ndërsa hetimet vijojnë dhe bashkëshorti i saj ndodhet i arrestuar nën dyshimet se ka qenë ai që e ka shtyrë 39-vjeçaren drejt aktit të rëndë të vetëflijimit e po ashtu edhe të mbytjes së fëmijëve, gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar detaje të tjera për çështjen.
E ftuar në “Breaking” në Top News, Hoxha tha se Erdgysi, burri i të ndjerës, prej një muaji nuk kishte më afrimitet me të dhe se kishte fshirë dhe të gjitha mesazhet që kishte pasur në telefon. Po ashtu shtoi se ai kur dilte me të dashurën e tij, minorene, bllokonte thirrjet në telefon nga Alma, në mënyrë që të mos shqetësohej.
Hoxha tregon po ashtu se ai i ka thënë kunatës së tij, “pse s’më tregove që Alma më pa?”, duke iu referuar dëshmisë së saj se pak para ngjarjes, e ndjera e kishte parë atë në makinë së bashku me të dashurën.
Korrespodenti i Top Channel në Shkodër, Klodian Zhivani ka zbardhur dëshminë e kunatës së Alma Arrazit:
Dolëm për të pirë një kafe së bashku me Almën dhe fëmijët tanë tek një lokal në pedonalen e Molos në hyrje të qytetit të Shkodrës. Unë e kam dashur shumë Almën edhe ajo mua e po ashtu edhe fëmijët kanë shkuar shumë mirë ndaj edhe dolëm si zakonisht me njëra-tjetrën. Rrugës përpara se të mbërrinim unë u ndala në një market për të blerë diçka dhe Alma më priti jashtë. Kur dola Alma më tregoi se Erdgysi, kishte kaluar me makinë së bashku me të dashurën e tij dhe se i kishte parë.
Unë nuk e kam parë Erdgysin sepse isha në market por Alma më tha se kishte kaluar. Kemi vijuar rrugën dhe u ulëm në kafe. Fëmijët po luanin dhe me Almën biseduam pak për marrëdhënien e saj me Erdgysin. Më pas vijuam edhe me biseda të tjera dhe rreth orës 20:10 ikëm nga aty.
Alma më tha më përpara se do të vinte ta merrte i vëllai me taksi dhe se do shkonte tek familja e saj në Durrës derisa të sqaroheshin me bashkëshortin e saj. Më tregoi se Erdgysi ishte në dijeni se do ikte dhe u ndamë”.
Pasi Alma u largua unë nxora telefonin dhe lajmërova bashkëshortin tim se nuk kisha internet dhe se do ikja për në shtëpi. Pasi i thashë se isha pa internet, vijova rrugën deri në shtëpi.
Unë i thashë bashkëshortit kur ika në shtëpi se Alma do shkonte tek familja e saj në Durrës. E mori vesh edhe Erdgysi se do shkonte në Durrës. Pas afro dy orësh kemi komunikuar me motrën e Almës dhe ajo na tha se nuk kishte shkuar atje. Kjo na bëri të dyshojmë dhe e gjithë familja jonë dolëm me makina duke kërkuar kudo në rrugët e qytetit nëse mund të gjendej diku Alma, por nuk e gjetëm askund. Kemi kërkuara e pyetur shumë edhe të nesërmen më 3 maj por askush nuk na konfirmoi asgjë derisa Erdgysi shkoi në polici dhe bëri denoncimin për humbjen e saj dhe të tre fëmijëve./tch