Nga Dritan Hila
Kush ka jetuar në Tiranë në vitet ‘97 e më pas i mban mend protestat e përditshme të militantëve të Berishës që bllokonin bulevardin e Tiranës në orën e pikut të tij. Ishin vetëm 50-100 persona që bënin një ritual me të cilin shpresonin të vinin në pushtet, kurse Berisha e dinte fare mirë që ishin joproduktive politikisht, por edhe mënyra më e mirë për të qenë në “piacën” politike.
Në vitin 2005 Berisha erdhi në pushtet, por protesta e përnatshëm nuk ndikoi aspak në rishfaqjen e tij. Berisha u rikthye për shkak të korrupsionit të socialistëve dhe mbi të gjitha mungesës së vullnetit të Fatos Nanos për të mbajtur pushtetin. Ata 50 vetë që protestonin, më shumë ishin bezdi e tiranasve sesa faktor pushteti.
E njëjta gjë vlen edhe për këtë vit, ku veç militantëve të Rithemelimit janë shtuar edhe disa kokrra të Metës që protestojnë përpara bashkisë, por ky akt nuk është se i qas me pushtetin, përkundrazi. Madje Rama do të donte t’i kishte përditë, por puna është se krahu tjetër nuk ka as njerëz e as takat.
Një pushtet bie për tre faktorë, kriza ekonomike, shthurja e shtetit dhe mungesa e vullnetit të drejtuesve në pushtet për të mbajtur komandën.
E vërteta është që shteti aktual ka probleme të rënda me korrupsionin. Afera 5D është nga më të rëndat në mos më e rënda për nga mënyra e organizimit. Por ky nuk është tregues i përgjithshëm.
Dy faktorët e tjerë janë në favor të Ramës. Rritja ekonomike në një Evropë në stanjacion, është e kënaqshme. Qytetet kryesore kanë një jetë ekonomike të kënaqshme, e cila tashmë po ndihmohet edhe nga turizmi.
Sa i takon vullnetit të Ramës për të mbajtur pushtetin, kjo nuk ka asnjë dyshim dhe e tregoi edhe mbledhja e fundit e grupit parlamentar me qeverinë. Ka oreks si ditën e parë kur u instalua si ministër Kulture.
Dhe ndoshta e fundit arsye që nuk paralajmëron ndryshim është se do të ishte mirë që ata 50 vetë në protestë mos të ishin deputetë dhe funksionarë të opozitës. Të paktën ata të 50-të t’i kishin militantë. Por mesa duket askush nuk beson që mund ta rrëzojnë Veliajn, lëre pastaj Ramën.