“Plani i qeverisë britanike për të dëbuar emigrantët në Ruandë është i paligjshëm”. Është ky vendimi i marrë këtë të mërkurë (15 nëntor) nga Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar, duke i dhënë një goditje masive politikës së imigracionit të kryeministrit Rishi Sunak dhe premtimit të madh zgjedhor përpara një votimi që pritet vitin e ardhshëm.
Në një vendim unanim, pesë gjyqtarët kryesorë thanë se Gjykata e Apelit kishte pasur të drejtë në përfundimin në qershor se nuk kishte pasur një vlerësim të duhur nëse Ruanda ishte e sigurt.
Aktgjykimi nuk ndalon dërgimin e emigrantëve në një vend tjetër, por e lë të rrënuar skemën prej 140 milionë funtesh të Ruandës, dhe nuk është e qartë se cilat vende të tjera janë të përgatitura të bëjnë një marrëveshje të ngjashme me Mbretërinë e Bashkuar.
Qeveria kishte argumentuar se Ruanda kishte dhënë garanci diplomatike të qarta dhe të besueshme se kushdo që dërgohej atje nga MB do të trajtohej në mënyrë të drejtë dhe njerëzore.
Por në një ndërhyrje kyçe në këtë rast, agjencia e refugjatëve e OKB-së tha se sistemi i azilit në Ruandë ishte thellësisht i padrejtë – dhe zyrtarët mund t’i kthenin emigrantët në vendet e origjinës ku ata ishin persekutuar ose torturuar më parë.
/a.r