Një alarm gjithëkombëtar për sulme të mundshme ajrore u lëshua në Ukrainë më 14 nëntor, me autoritetet që i bënë thirrje qytetarëve të kërkojnë strehim.
“Ka rrezik për sulme raketore nëpër tërë Ukrainën. Avionët luftarakë MiG-31K, që i takojnë Forcës Ajrore të Rusisë, janë ngritur nga bazat e tyre ajrore”, tha Forca Ajrore e Ukrainës në një komunikatë.
Ajo nuk dha hollësi të tjera dhe e lashtoi deklaratën pasi një person u vra dhe një tjetër u plagos mëngjesin e 14 nëntorit në qytetin jugor të Ukrainës, Nikopol, në rajonin Dnipropetrovsk, i cili u sulmua nga tre dronë rusë.
Dnipropetrovsk është rajon që është goditur vazhdimisht nga sulmet ruse.
Ndërkohë, sot gjatë ditës, vendet e Bashkimit Evropian e kanë pranuar se mund të dështojnë ta furnizojnë Ukrainën me municionin që ia kishin premtuar për ta luftuar pushtimin rus dhe për ta çliruar territorin e vet të uzurpuar.
Në fillim të këtij viti, liderët e BE-së u zotuan se do t’ia dërgonin frontit të Ukrainës një milion copë municion deri në pranverë të vitit 2024. Kjo do të nënkuptonte rritje të jashtëzakonshme të prodhimit. Por, blloku i përbërë nga 27 vende, thotë tani se e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë.
“Shifra një milion nuk do të arrihet, duhet ta hamendësojmë këtë”, tha ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistrius, para një takimi të ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Be-së në Bruksel.
Rreth 300.000 copë municion i janë dërguar asaj nga depot ekzistuese të BE-së deri më tani.
Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Andris Spruds, nguli këmbë se caku fillestar nuk duhet të merret si diçka e saktë.
“Epo, natyrisht, një milion copë janë simbolike. Mendoj se të rëndësishme janë aspirata dhe ambicia”, tha ai.
Në fushëbetejë, megjithatë, prania e municionit është gjëja e vetme që ka rëndësi.
Në luftën e Ukrainës me Rusinë, predhat e artilerisë 155mm luajnë rol vendimtar. Harxhimi i 6.000 deri në 7.000 predhave në ditë tregon për rëndësinë strategjike të tyre./REL