Vrasësit e atentatit në fshatin Larushk të Fushë-Krujës kishin përdorur një automjet tip Volkswagen Golf 5 për të kryer ngjarjen kriminale.
Mjeti Golf është vjedhur në Tiranë disa kohë më parë. Pas atentatit, autorët e braktisën dhe e dogjën makinën në zonën e Lapidarit në Tapizë.
Forcat policore që shkuan në vendngjarje e gjetën mjetin në flakë. Makina ishte pa targa dhe brenda automjetit u konstatuan 3 kallashnikovë.
Këto armë u sekuestruan nga policia dhe u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore për t’u ekzaminuar.
Nuk është e qartë nëse në atentatin me 1 të vrarë dhe 2 të plagosur u përdorën 3 armët kallashnikovë. Kjo pritet të përcaktohet nga laboratori i Policisë Shkencore që do të kryejë testet balistike.
Sipas informacioneve nga grupi hetimor, dyshohet që të kenë qenë 2-3 atentatorë, njëri prej të cilëve në rolin e shoferit.
Grupi hetimor është duke mbledhur prova që mund të ndihmojnë për identifikimin e atentatorëve.
Autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt banesës së Gentjan Bejtjes. Nga të shtënat mbeti i vrarë Ramazan Sino 29 vjeç, kunati, dhe u plagosën dy djemtë e Gentjan Bejtjes. Njëri prej tyre në gjendje të lehtë doli nga spitali në orën 04:00, ndërsa tjetri Alvi Bejtja 13 vjeç ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Shënjestër e atentatit ka qenë Gentjan Bejtja, i cili u ka shpëtuar atentateve edhe disa herë të tjera.
Bejtja, një ish-punonjës i policisë së burgjeve, njihet nga strukturat e policisë për backgroundin e tij kriminal dhe hasmërinë e krijuar me disa grupe kriminale të Fushë-Krujës me të cilët kishte qenë më parë në miqësi.
/a.r