Një bandë shqiptarësh që kishte përqendruar aktivitetin e saj në trafikun e paligjshëm të emigrantëve nga Franca në Britaninë e Madhe është burgosur në ishull dhe autoritetet kanë publikuar imazhe të një prej kamionëve që ata përdornin.
Fotot tregojnë zonën e vogël të kabinës së kamionëve ku kontrabandistët fshehën njerëzit teksa tentonin të kalonin kufirin.
Kamionët me shoferë rumunë, brenda të cilëve kishte hapësira të ngushta, të përshtatura për të fshehur një ose dy emigrantë janë përdorur për një kohë të gjatë nga banda prej shtatë personash.
Në pranga kanë përfunduar Dimitraki Nika (35 vjeç), Arlin Leka (29 vjeç) dhe Doru-Emil Moldovan (32 vjeç), të cilët pranun të gjithë që kanë ushtruar aktivitetin kriminal, që me ligjet e reja të emigracionit mund të dënohet edhe me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, Kristian Agolli (35 vjeç), Aldis Cseplye (33 vjeç), Sorin Holerca (40 vjeç) dhe Jozef Szekely (33 vjeç) u shpallën fajtorë pasi çështja e tyre u shqyrtua muajin e kaluar dhe morën një dënim të kombinuar me mbi 24 vjet burg.
Rrjeti i trafikut të emigrantëve është zbuluar pasi detektivët mbyllën dy fabrika kanabisi në Brent të Londrës.
Inteligjenca britanike më pas kreu hetime të mëtejshme në Southgate Enfield, në Anglinë Juglindore dhe në Lincolnshire, duke zbuluar se grupi i krimit të organizuar kishte përdorur kamionë të regjistruar në emër të kompanive rumune për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, duke kryer kalimin nga Dunkirk në Dover.
Më pas kamionët ndalonin në stacionet e shërbimit në autostradat e Britanisë përpara se të takonin një anëtar të bandës, ku kryhej edhe pagesa.
Më pas, emigrantët e paligjshëm dërgoheshin fillimisht në Southgate, përpara se të kalonin te shqiptarët e tjerë që mund të ishin miq apo familjarë të tyre.
/a.r