Prokurori i Përgjitshëm Adriatik Llalla më në fund ka thyer heshtjen dhe ka komentuar qëndrimin e tij për draftin e miratuar nga qeveria për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Gjatë fjalës së mbajtur në kuadër të Analizës së Porkurorisë për Krime të Rënda, Llalla ëhstë ndalur edhe te kjo çështje. Ai nuk ka detajuar qëndirmin e tij tek kritikat konkrete, por tha se mbështet qëndrimin e shprehur publikisht nga shoqata e prokurorëve, sipas së cilës Drafti krijon përplasje kushtetuese dhe ka paqartësi.
“Prej disa ditësh jemi njohur me draftin për ndryshimet ligjore në ligjin për policinë e shtetit. Të gjithë tashmë jemi pjesë e diskutimeve mbi njësinë e specializuar policore që synohet të krijohet, Byronë Kombëtare të Hetimit. Strukturë e cila pritet të shtojë kapacitetet policore në luftën kundër korrupsionit. Prokuroria ka rezervat e saj lidhur me draftin e paraqitur, kundërshtime për të cilat ndan të njëjtin qëndrim me atë të bërë tashmë publik nga Unioni i Prokurorëve”, tha Llalla.
Gjatë fjalës së mbajtur para vartësve të tij, Llalla kritikoi edhe vonesat e prokurorëve për hetimin e çështjeve. Po ashtu, ai kërkoi rritjen e volumit të dosjeve nga ana e njësisë anmtikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Ja fjala e plotë e Llallës:
Të nderuar kolegë dhe të ftuar,
Analizat vjetore të Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apeleve po i përmbyllim në Prokurorinë për Krime të Rënda. Nuk është një zgjedhje rastësore, por e bazuar në dy argumenta kryesorë, të cilët lidhen me kompetencën Tuaj që shtrihet në të gjithë territorin e Republikës dhe sidomos me ngarkesën specifike që keni pasur në vijimësi.
Fillimisht, dëshiroj të uroj për detyrën pranë Prokurorisë për Krime të Rënda edhe 4 prokurorëve të rinj, të cilët u dekretuan ditën e djeshme nga Presidenti i Republikës. Këta prokurorë do të jenë pjesë e Njësisë Antikorrupsion, e cila ka për detyrë hetimin e korrupsionit në nivele të larta të administratës publike. Me ardhjen e 4 prokurorëve të rinj, tashmë Njësia antikorrupsion do të përbëhet në total nga 7 prokurorë, tek të cilët Prokuroria e Përgjithshme, por edhe faktorët vendas dhe ndërkombëtarë kanë pritshmëri shumë të lartë.
Vijon të jetë ende fakt se numri i referimeve në këtë njësi është shumë i ulët, por drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, drejtuesi i Njësisë dhe drejtorët në Prokurorinë e Përgjithshme do të aplikojnë disa mekanizma alternativë që do t’i diskutojmë në vijim, me qëllim forcimin e efikasitetit të kësaj strukture në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe në sistemin e drejtësisë.
Duke u rikthyer tek analiza vjetore për vitin 2015, duke theksuar se Prokuroria dhe Gjykata për Krime të Rënda, përfshirë edhe Apelin, vijojnë të konsiderohen histori suksesi në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Dhe, në fakt, ky perceptim bazohet në rezultatet konkrete në hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të grupeve kriminale. Falë angazhimit Tuaj, tashmë janë dënuar ose janë në gjykim grupe kriminale që vepronin në zonën e Lazaratit dhe zona të tjera të vendit, grupe të vrasësve me pagesë, persona që rekrutonin qytetarë për luftëra në Lindjen e Mesme, grupe që trafikojnë lëndë narkotike, persona që kryejnë krime në familje si dhe vepra të tjera penale që janë në kompetencën tuaj.
Një vend të veçantë ka pasur angazhimi Juaj gjatë vitit 2015 edhe në hetimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Si kurrë më parë, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur para përgjegjësisë ligjore disa gjyqtarë dhe prokurorë. Nëpërmjet punës Suaj, Prokuroria Shqiptare ka dëshmuar se kemi aftësinë për të goditur edhe brenda radhëve tona.
Gjithësesi, krahas vlerësimeve, është shumë e nevojshme të diskutojmë për disa problematika, me qëllim forcimin e mëtejshëm të punës hetimore.
Para Jush po përsëris kërkesën themelore që u është drejtuar të gjithë Prokurorive në Shqipëri. Është shumë e nevojshme të rritet shpejtësia e hetimeve.
Ne jemi të gjithë prokurorë dhe e kuptojmë më së miri se veprimet në një kohë sa më të shpejtë, sjellin rezultate edhe më të mëdha. Pavarësisht ngarkesës suaj, Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se duhet të bëni shumë më tepër sa u përket kryerjes së veprimeve hetimore në njësi më të vogla kohore.
Lufta kundër krimit të organizuar, e cila është kompetencë e juaja, mund të shoqërohet me suksese më të mëdha në rastet e goditjes në aspektin financiar të tyre. Prokuroria për Krime të Rënda ka rritur ndjeshëm numrin e sekuestrove preventive dhe kjo është për t’u vlerësuar. Gjithësesi, në çdo rast, duhet të angazhoheni maksimalisht që, për pronat e sekuestruara, në përfundim të bindni gjykatën për konfiskimin e tyre. Në këtë mënyrë, do të dobësohen gjithnjë e më shumë mundësitë financiare të grupeve kriminale.
Po ashtu, prokurorët pranë kësaj Prokurorie duhet të rrisin aftësitë e tyre për të shfrytëzuar maksimalisht çdo informacion për veprimtari kriminale, që të nisen në çdo rast të hetime proaktive, si për krimin e organizuar, ashtu edhe për korrupsionin.
Bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese, sidomos me Policinë e Shtetit, është pika kyçe e suksesit në luftën kundër kriminalitetit. Në emër të Prokurorisë së Përgjithshme falenderojmë edhe drejtuesit e lartë të Policisë që janë sot të pranishëm në këtë analizë. Ky bashkëpunim pritet të jetë akoma edhe më i madh, pasi ligjvënësit po shqyrtojnë mundësitë ligjore për forcimin e kapaciteteve të Policisë.
Prej shumë vitesh, ka ekzistuar dualiteti, shpesh herë i papërligjur, ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë. Në fakt, siç po vlerësohet, ky lloj dualiteti nuk ka qenë i lidhur vetëm me vullnetin e personave që ushtrojnë funksionet në Prokurori apo në Polici. Tashmë problemi kryesor është konstatuar se ekziston tek kuadri ligjor, për të cilin po punohet për ta përmirësuar.
Prej disa ditësh jemi njohur me draftin për ndryshimet ligjore në ligjin për policinë e shtetit. Të gjithë tashmë jemi pjesë e diskutimeve mbi njësinë e specializuar policore që synohet të krijohet, Byronë Kombëtare të Hetimit. Strukturë e cila pritet të shtojë kapacitetet policore në luftën kundër korrupsionit.
Prokuroria ka rezervat e saj lidhur me draftin e paraqitur, kundërshtime për të cilat ndan të njëjtin qëndrim me atë të bërë tashmë publik nga Unioni i Prokurorëve.
Prokuroria vlerëson tepër të rëndësishëm rritjen e kapaciteteve policore, në zbulimin e rasteve dhe referimit të tyre në Prokurori rrjedhimisht edhe organit të Prokurorisë i krijohen më shumë mundësi për të hetuar dhe dërguar para drejtësisë ç’do shkelës të ligjit pa përjashtuar zyrtarët e niveleve të larta.
Gjatë analizës së sotme, do të diskutohet në mënyrë më të detajuar lidhur me rezultatet dhe problematikat e punës së Prokurorisë për Krime të Rënda gjatë vitit 2015.
Prokuroria e Përgjithshme shpreh vlerësimet për bashkëpunimin me gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit të Krimeve të Rënda, të cilët me aftësitë e tyre kanë ndihmuar në përmirësimin e mëtejshëm të punës hetimore të prokurorëve.
Së fundi, por jo për nga rëndësia, një falenderim i veçantë shkon për median, e cila ka qenë dhe vijon të jetë mbështetëse kryesore e punës së prokurorisë, si me pasqyrimin e ngjarjeve sapo vihen në dijeni me ecurinë e hetimeve, gjykimeve dhe dhënies së dënimeve për shkelësit e ligjit. Nëpërmjetë këtyre pasqyrimeve media jep një kontribut tepër të rëndësishëm parandalues për ç’do shtetas, të cilët shohin se kushdo që shkel ligjin do të përballet me forcën e ligjit e për rrjedhojë të jenë më të përgjegjshëm në veprimet që kryejnë.
Ju falenderojmë për praninë tuaj sot dhe analiza do të vijojë, pasi media të jetë larguar.
Ju faleminderit për vëmendjen