Nga Ben Andoni
Shkrimtaria e Rikardit në këtë libër me dy novelëza përmbledh një ndërthurje zhanresh, kulture dhe befasish. Ajo që të bie në sy është se autori të jep ndjesinë sikur punon në disa kohë: i mban gjërat e tij dhe u kthehet dhe u rikthehet disa herë me radhë. Nuk kanë shpëtuar edhe këto dy novelëza (ky është përcaktimi ynë për gjininë, por autori mund të mos jetë dakord), ku lexuesi përshtypjen e parë duhet ta kërkojnë nën imazhin e kopertinës zgjidhur me pikturën e Françisko Gojës. Pushkatimi i famshëm i tij, temë për shumë kuratorë dhe studiues në lidhje me angazhimin në të gjallë të tij, është befasia e parë e gjetjes nga Rikardi dhe që të grish të dish se çfarë ka dashur të thotë me të. Në fakt, kjo pikturë është mes dy kohërave të temave që ai shtjellon, por që i përgjigjet simbolit të ringjalljes. E para është një novelëze me një ide të këndshme, me temë nga pushtimi i gjatë osman, ku thelbi përbën një parabolë numrash dhe fati dhe tjetra një kronikë qytetëse e hartuar gati në formën e një proze dokumentare. Mendimi personal është se Rikardi duhet të ketë mëdyshuar shumë për formën e novelëzës së dytë, që lidhet me qytetin e tij të lindjes dhe që ai e përshkruan gati në formë pavetore. Personazhet e tij janë të gjalla dhe ai vetë diku duket si një personazh i gjallë, edhe pse ende në një moshë ku nuk mund të gjykonte. Megjithatë është një kronikan i drejtë i kohës, asaj që do t’ia sjellin ndër mote kujtimet familjare, fisnore, fjala ndërqytetëse dhe kultura.
Elementin e kohës letrare e ka përdorur më mirë në novelëzën e parë, që në një farë mënyre shpjegon simbolikisht dështimin osman përballë kryqit të krishterëve edhe madje kur mundën t’ua mposhtnin vendin. Realizuar me një parabolë numrash, ku është zgjedhur numri biblik 9, një numër që gjithsesi qëndron fatal për sundimtarin, ashtu si edhe krijesa e zakonshme para Zotit. Në parantezë, ‘9’-ta është numri i plotshmërisë biblike dhe koha e mbarimit të jetës tokësore të Krishtit…
Udhëtimi për një ekspeditë ndëshkimi që përfundon me tymin e një kishe (nga ku ka marrë edhe titullin novelëza), në një vis malor shqiptar (E përcaktojmë se i vetmi indikacion lokal është që kemi sanxhakbeun e Shkodrës në aksion), jo vetëm që nuk i sjell qetësinë dhe lavdinë sundimtarit, por e mposht para pafuqisë së numrit fatal. Rikardi na sjell në dukje që gjërat që janë të dhëna dhe gati natyrore edhe nëse kujton se i mund ato do të kthehen mbi kokë. Pak e rënduar disi analogjia me numrat, që e bën edhe rrëfenjën disi abstrakte, por ky është me sa duket qëllimi i tij. Është tejet e vështirë për ata që nuk e ndjekin dot kulturën e tij. Dhe pak e tepruar, por kjo është në dorë të autorit, elementët e përcaktimit, që e zbehin pak linjën e veprës (Malësorët e pamposhtur, viset e lira).
“Mendja e tyre e mefshtë s’kishte asnjë lidhje me mendimin abstrakt, por mbrojtja e jetës ishte një instinkt i lindun i gjithë gjallesave, kështu që edhe ata ishin gjallesa. Ndryshimet nga gjitarët e tjerë ishin në një farë mënyre jofort të dukshme të vogla…”, shkruan ai.
Rrëfenja e parë është interesante dhe në pavetëdije të del shpesh një sens i autorit që e çon paksa instinktivisht te skenari. Në fakt, kjo e ka një justifikim, pasi nuk ka sesi të ndodhë ndryshe për një njeri që e kaluar jetën para fokusit të kamerës.
Rrëfenja e dytë duhet të jetë nisur në aspektin publicistik, por është arritur dhe trajtuar këndshëm në formën e një eseje, më shumë sesa prozë, siç beson autori. Personazhet, për ata që e njohin Shkodrën dhe Rikardin, duken krejt realë. Fatet e tyre të vërteta dhe madje edhe qëndrimi i tij e përcakton, në të gjithë veprën. Novelëza e dytë na bën të mendojmë se autori duhet të ketë pasur në kokë ose ka dashur të shkruajë një lloj historie të qytetit të tij, duke e zhveshur nga legjendat urbane. Për mendimin tonë, mund të quhet një kontribut tejet i këndshëm.
Një gjë të përbashkët, që e quajmë pak si të tepërt, të dy rrëfenjave, është ngulmimi te disa togfjalësha përcaktorë , si p.sh. i Shkollës së Vjenës (ka të ngjarë të jetë i ati) etj., që ta bëjnë menjëherë të lexueshëm personazhin, duke ia hequr pak befasinë. Mund të përdorte elementë realë dhe detaje artistikë që e evidentonin këtë, siç bën me ngulmimin antropologjik të një personazhi (Rrokut…), apo njeriut të barit, që kur kupton se ikën gjermanët bën aheng etj.
Kompozicioni i rrëfenjës së parë është më i strukturuar dhe linja është reale. Është e thjeshtë dhe e mban të ngulfatur vëmendjen e lexuesit. Nuk mund të themi për pjesën e dytë ku ai luan me kontrastin, një nga cilësitë e mira të tij, dhe kompozicioni është disi për një vepër të esessë dokumentare. Në pjesën e dytë veçojmë se ke një ndjesi të mirë nga kultura njohëse që ai shpalos dhe e përshtat në vepër, e që përbën një vështirësi jo të vogël për njeriun e letrave, e mbi të gjitha ndihma që i jep lexuesit të njohë një Shkodër tjetër.
Autori ka përdorur dendur gegnishten e Shkodrës në leksik, por që nuk shkon disi me sintaksën, që duhej të ishte krejt gegnishte. Pastaj në linja të tëra është me standardin. Kjo duhet “t’i vihet si kusht” në krijimet e tjera për ta sjellë më uniforme.
Libri lexohet dhe të sjell ndjesi të mirë, por edhe të bën të abstragosh, nëse ke kulturë historike dhe interesa historike kulturore dhe fenomenologjike të numerologjisë. Mendojmë se Rikardi na ka sjellë një prozë të këndshme dhe të asimilueshme këndshëm. Një meritë duhet t’i njihet dhe OMBRA GVG-së për marrjen përsipër të botimit dhe paraqitjen me kulturë të aspekteve të botimit.
Titulli: Tymi, kronikë bardhëezi
Autor: Rikard Ljarja
Gjinia: Proza
Botues: OMBRA GVG
Çmimi: 600Lek
Faqe:151