Nga Lutfi Dervishi
Turpërimin publik që po i bëjnë personazheve VIP duke u bërë pyetje të vështira, Kiko e konsideron një gjëmë të madhe që po i ndodh vendit në veçnati dhe kombit në përgjithësi.
Çfarë kuptimi ka pyetja: kur ka lindur Skënderbeu? Pyetja është pa kuptim, por përgjigja që ka dhënë personazhi VIP se ka lindur më 1956, nuk është arsye për t’u tallur, por për të menduar. Madje për t‘u menduar thellë. Personazhi VIP, që për lehtësi do ta quajmë Personi V, ka shprehur një dëshirë që të kemi edhe një Skënderbe në ditët tona. Çfarë të keqe ka këtu? Po të ishte krejt e paditur, sikundër po thonë Personi V, mund të thoshte që Skënderbeu e ka ditëlindjen më 1909, që është datëlindja e ekipit të futbollit Skenderbeu.
Edhe për pyetjen e dytë: me kë kufizohet Kosova, personi V, por masakrohet me të pa drejtë. Ajo ka dhënë një përgjigje patriotike, por injoranca nuk e ka kuptuar. Kur ka thënë Kosova kufizohet me Greqinë ka shprehur aspiratën për të patur Kosovën e Madhe. Pra, meqë për Shqipërinë e Madhe ka patur vetem llafe, Personi V ka menduar që duhet të kalojmë te plani B, Kosova e Madhe. Duke përfshirë territoret shqiptare në Maqedoni, Kosova vërtet bëhet vend fqinj me Greqinë. Përgjigje e saktë.
Edhe faktin që Petro NIni Luarasin e dinë drejtor shkolle në Tiranë, duhet kuptuar si një satirë që i bëhet emërimeve të mësuesve dhe drejtuesve nga portali qeveritar dhe jo si mungesë dijesh nga Rilindja.
Kiko bën thirrje që këtej e tutje pyetjet ndaj personave V duhet të jenë të menduara dhe që i shërbejnë interesit të publikut.
Pyetjet nga letërsia mund të eliminohen. Nuk mund të pyetet personi V për poetë dhe shkrimtarë sepse kjo na çon mbrapa në shekullin XX, në shekullin ku njerëzit lexonin libra. Rrota e historisë nuk mund dhe nuk duhet të kthehet prapa. Mund të ketë përjashtime, por kjo nuk duhet të kthehet në mani.
Kiko sugjeron që pyetjet të standartizohen në mënyrë që të gjithë personat V të mos diskriminohen dhe të marrin trajtim të barabartë. Për shembull nëse do të ketë pyetje nga letërsia e vjetër shqiper pyetja mund të formulohet:
Kush e ka shkruar Mesharin e Gjon Buzukut?
Për pyetjet nga letërsia bashkëkohore pyetja mund të jetë:
A është Ismail Kadare shkrimtar shqiptar?
Nëse do të ketë pyetje nga historia e Shqipërisë, pyetja standarte mund të jetë:
Ku është mbajtur Kuvendi i II -të i Lezhës?
Nëse do të ketë pyetje nga historia botërore, Personat V mund të pyeten:
Cili është mbiemri i Napoleonit?
Nëse do të ketë pyetje nga zoologjia, personave V mund të pyeten: Sa ngjyra ka qeni bardh e zi?
Nëse do të ketë pyetje nga fizika, personat V mund të testohen duke i pyetur:
Kush peshon më shumë 1 kg hekur apo 1 kg pambuk?
Nëse do të pyeten për programe televizive, personat V mund të sfidohen me pyetjen:
Në cilën ditë transmetohej programi Ethet e së Premtes…”
Personat V mund të përballojnë edhe pyetje kurth të tipit:
Çfarë dite e muajit është 1 Maji?
Dhe meqë sot është ditë e shtunë, një ditë e rëndësishme e javës, Kiko sugjeron 3 pyetjet e mëposhtme për personat V.
Cila është dita që vjen pas të Premtes?
Cila është dita e gjashtë e javës?
Cila është dita që vjen para ditës së dielë?
Kiko propozon që pyetjet kurth ndaj personave V të ndalohen me ligj. Për shembul për pyetjet të tipit:
Çfarë e ka Gjergj Kastrioti Skënderbeun?
Kiko propozon dënim me burg ose gjobë 225 mijë dollarë.
Pyetje e tillë, o Kiko, mund të jetë psh;
Nga cila krahinë e Shqipërisë, është gollobordasi Lutfi Dervishi ?
etj, etj….