Dy gazetarë dhe një i përndjekur politik nuk e kanë pritur mirë intervistën e të vesë së dikatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxhës, dhënë për gazetaren Rudina Xhunga.
Gazetarët Ben Andoni e Nebil Çika së bashku me kreun e institutit të të përndjekurve politikë, Bilal Kola, ishin në studion e Zululand me gazetarin Mustafa Nano për të folur për intervistën e fundit të Nexhmije Hoxhës, të paktën siç u la të kuptohej nga vetë ajo, kur përshëndeti publikun me fjalën ‘Lamtumirë’.
Por a duhet të intervistohen më figura të tilla? Për këtë, tre të ftuarit menduan që po, por nëpërmjet një intervistë të mirëfilltë, që të nxirret në pah ajoçka publiku kërkon nga të tillë personazhe.
E lidhur me këtë, pothuajse të sinkronizuar, tre të ftuarit e kanë komentuar si jo profesionale intervistën e Rudina Xhungës. Shprehimisht Kola dhe Andoni e kanë quajtur intervistën si një PR të Nexhmije Hoxhës në fund të jetës së saj, madje të kopsitur mirë, për të thënë Nexhmije Hoxha atë që dëshironte.
Bilal Kola tha se intervista ishte në nivele jo të pranueshme duke tejkaluar edhe vijën e kuqe, duke e cilësuar qasjen e gazetares Xhunga,injorante. “Pa dashur të ofendoj gazetaren, sepse nuk kam asnjë gjë personale më të, qasja e gazetares mu duk thellësisht injorante ose thëllësisht romantike, ose të dyja nga pak” – tha Kola.
Por gazetari Nano i kërkoi arsyet, se pse qasja e Xhungës u cilësua injorante. Duke ju përgjigjur, Kola tha se “Duhet të kesh atribute pozitive që të kesh një qasje me pozitive, por Nexhmija nuk e ka këtë.”
Ish i përndjekuri Bilal Kola tha se kjo nuk klasifikohet tek intervistat me vlerë historike, por më shumë romantike. “M’u duk një intervistë romantike kur pyetej Nexhmija se si ishte njohur me Enverin”. Në të njëjtin mendim ishte edhe Ben Andoni, i cili nënvizoi se kjo intervistë nuk kishte vlerë historike. “Nëse do të sillte diçka të re, një perceptim ndryshe mund të kishte vlerë historike. Por ajo intervistë nuk e pati një vlerë të tillë. Madje ajo u tregua e kujdesshme, madje më bëri përshtypje kur ajo përmende njerëz që ishin gjallë siç ishte rasti i pyetjes për Skavicën. Pra ajo ishte një intervistë e kopsitur mirë”, tha Andoni në Zululand.
Duke selektuar një nga eksperiencat e tij më të vyera në gazetari siç ishte biseda me Ramiz Alinë, Mustafa Nano u ndal konkretisht në pyetjen, nëse gazetarët e ftuar do të kishin dëshirë për të intervistuar Nexhmije Hoxhën? Andoni tregoi eksperiencën e tij, se Nexhmija selektonte pyetjet të cilat kërkonte të mos përgjigjej, ndërsa Çika nënvizoi faktin se e veja e diktatorit nuk jepte kurrë intervistë për personat të cilët i konsideronte si oponentë.Megjithatë ai tha se do ta intervistonte, por duke i dhënë publikut atë çka ajo përfaqësonte.