Elvis Sejdo, i vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës për një grabitje të kryer në gusht të këtij viti, u la i lirë sot nga gjykata, pasi kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ishte bërë jashtë afatit 72 orësh që e ka të përcaktuar Kodi i Procedurës Penale.
Prokuroria kërkoi në seancë caktimin e masës “arrest me burg” për Sejdon, por u kundërshtua nga avokati Sokol Tahiraj, i cili i kërkoi gjykatës lirimin, që u pranua.
Sipas akuzës, dokumentacionet për prerjen e fletës së arrestit për Sejdon u sollën me vonesë nga Policia e Tiranës dhe për këtë arsye afatet kanë kaluar.
Elvis Sejdo, tashmë i liruar nga akuzat, ishte shpallur në kërkim përmes operacionit “Escape” pasi ishte bashkëpunëtor në grabitje në afërsi të qendrës “Kristal” në Tiranë.
Në atë kohë, Kevin Zekës i grabitën me armë 1450 euro dhe biçikletën, ndërsa përfunduan në pranga Sebastjan Ogiçi, Ruzhdi Thoma dhe Marjus Fejzulla, ndërsa në kërkim u shpall Elvis Sejdo.