Nga Baton Haxhiu
Ekspertiza zvicerane erdhi. Vdekja u klasifikua si vetëvrasje. Nga gjithë kjo histori mbeti një histori e pamoralshme dhe e rrezikshme.
Rrëfimi ka një lider, që e keqpërdori vdekjen, dhe një baba, i cili e kërkoi me të drejtë ta gjente vrasësin. Atij i kishin thënë se djali të është vrarë nga politika.
Historia e kësaj vdekjeje e ka edhe një mbrojtës të pamoralshëm, i cili iu nënshtrua argumenteve politike para të vërtetës.
Bënë mirë që kërkuan drejtësinë deri në fund, por dënimi publik dhe linçimi duhet ta ketë një kosto morale. Sepse kërkimi për vdekjen, me rrëfim të rremë, të bën që të ikësh nga jeta publike.
Babai do duhej të ikte nga deputeti, sepse ai u bë deputet në emër të dhimbjes që kishte opinioni për vrasjen.
Kryeministri, që kërkoi të vërteten e vrasjes dhe foli të pavërtetën në publik, dhe një avokat që nuk do duhej të pranohej në asnjë zyrë të gjykatave.
Rrëfimi i asaj kohe ka këtë shënim:
Vdekja e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren (QPP), ku ai është mbajtur si njëri prej të dyshuarve në grupin prej gjashtë anëtarësh, që po hetoheshin për pjesëmarrje në sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, kishte ngjallur shqetësim dhe interesim të jashtëzakonshëm dhe të kuptueshëm të opinionit në Kosovë. Janë shtruar shumë kërkesa nga të gjithë faktorët relevantë për sqarimin sa më parë të rrethanave të vdekjes për t’i ndërprerë spekulimet dhe politizimet e këtij rasti tragjik.
Avokati Tome Gashi kishte ndërtuar rrëfimin e tij mbrojtës, duke i besuar më shumë të pavërtetës, sesa qëndrueshmërisë e asaj që kishte ndodhur.
Të gjithë dëshironin ta shikonin si vrasje: Vetëvendosja, me pamëshirësinë e vet politike, arriti ta bindte opinionin se ajo që kishte ndodhur brenda ishte një vrasje e pastër e pushtetit. Kishte shkuar aq larg sa vrasjen e shndërroi në kauzë politike për të kallur vendin. E bëri të pamundur që ta përdorte nënën dhe babanë e Astritit deri në pafytyrësi për qëllime politike.
Më i dalluari ishte Albin Kurti!
Kryeshefi i opozitës kish akuzuar rëndë.
Në një intervistë të Kurtit në Interaktiv, 8 nëntor 2016, ishte qartësuar pozicioni i tij dhe qartësia e informacionit për rastin “Dehari”.
“Tashmë ndodhemi përtej dyshimit të bazuar se në fakt nuk bëhet fjalë për vetëvrasje. Informatat e fundit që i kemi, janë se ai ka përjetuar një vdekje të dhunshme, jo nga vetvetja, në qelinë e tij në Prizren”, kishte thënë ai.
“Si Astriti, që është kapur për fyti, ashtu është kapur edhe shteti nga kjo qeveri”.
“Astriti u bë kurban për një vetëdijesim mbarëpopullor në Kosovë. Nuk je i sigurt as jashtë burgut, as brenda burgut. Kot ka kamera kur ka këso njerëz”.
“S’ka shumë ditë që Kadri Veseli na tha të kujdesemi se mos po bëjmë vetëvrasje dhe kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e pyeti se mos e ka fjalën sikurse Dino Asanajn. Tani ndodhi vdekja e Astritit. Nuk e di si ka fytyrë pushteti që të shprehë ngushëllime”, kishte përfunduar Kurti.
Por e vërteta e asaj kohe ishte heshtja.
Të gjithë heshtin kur një vrasje ndodh. Natyrshëm, në kësi situata, më shumë i besojnë viktimës, se sa një ngjarjeje me dhimbje të madhe dhe fajtor mbetet pushteti. Më e lehta në kësi situata është të akuzohet qeveria. Kështu akuza bie mbi pushtetin pa e prekur asnjë emër të përveçëm.
Qëllimi u arrit! Astrit Dehari u tha që është vra!
Ky kumt i lajmit të vërtetë u dha nga Vetëvendosja dhe mbrojtësi i pashije dhe pa etikë profesionale.
Atëbotë kritika ishte drejtuar mbi institucionin që drejtoja. Babai i Astritit, me dhimbjen që kishte, u ekspozua para kamerave duke u përdorur politikisht.
Narracioni i tij kishte dhimbje brenda. Fotografitë dhe videot e fëmijëve të tij shfaqeshin në të gjitha televizionet. Kriza morale kishte arritur kulmin. Vuajtja e Vetëvendosjes dhe një pjese të qytetarëve ishte krejt politike. Rrëfimi ishte manipulues dhe fajësia ishte e pamoralshme brenda moralit të dhimbjes së madhe.
Në gjuhën më të lehtë, ky version i dhimbjes ishte moraliteti më i pamoralshëm që ishte parë në kohën e pasluftës. Kur një vdekje shndërrohet në kauzë. Shndërrohet si shtytje për luftë civile.
Çka kishte ndodhur me rastin dhe për çka ankohej?
Ankesa për “transmetim të paautorizuar” vinte nga familja Dehari.
Natyrisht që ankesa ishte e paqëndrueshme, sepse në këtë rast nuk është familja Dehari, ajo nga e cila do të duhej të kërkohej autorizimi për transmetim.
Incizimet në fjalë i kisha lejuar të transmetoheshin në emisionin “Zona e Debatit”, më 10.11.2016, pasi që në opinion dhe nga burimet e ndryshme është kërkuar që të publikohen incizimet e kamerave të QPP-së.
Vetë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, aktivist i së cilës ka qenë Astrit Dehari, kanë kërkuar publikisht që të transmetohen pamjet e kamerës së sigurisë të QKK-së.
Në momentin që TV Klan Kosova i ka siguruar këto pamje dhe pasi jemi bindur se ato janë autentike dhe të pamontuara, obligimi dhe etika profesionale na ka detyruar që t’i publikonim ato në interes të opinionit që kërkonte sqarimin e së vërtetës mbi vdekjen e Astrit Deharit.
Pamjet e transmetuara i kemi analizuar paraprakisht, edhe nga aspekti i etikës dhe ndjeshmëria për familjen Dehari, si dhe interesit të publikut të gjerë.
Kam vërejtur çdo detaj nëse tek incizimet kishte pamje “fyese, denigruese dhe tronditëse, që, rastësisht, mund të shkelnin standardet e përgjithshme të mirësjelljes”. Kështu kishte shkruar publikisht në akuzën e saj familja Dehari.
Materiali, jo vetëm që nuk kishte ndërhyrje teknikisht, por ishte lëshuar edhe pa asnjë koment nga dikush në studio. Përveç paralajmërimit për çka do të shihej, prezantuesi nuk kishte ndërhyrë në asnjë sekuencë. Ideja ishte të shihej më shumë, jo të flitej më shumë!
Çdo analizë e paanshme do të vërtetonte se pamjet e transmetuara në versionin e shkurtuar për periudhën kritike, si dhe atë më të gjatë kur Astrit Dehari për një orë kishte mbetur i vetëm në qelinë e QPP-së, nuk përmbanin“pamje fyese dhe denigruese”.
Ishin pamje që pa paragjykime jepnin informatën bazë të moslëvizjes së askujt në korridor gjatë kohës kur të burgosurit dilnin në shëtitje, si dhe pamjet e momentit kur është zbuluar se Astrit Deharit i ka ndodhur diçka në qeli, pasi u gjet në gjendje të rëndë. Më pastaj, në sekuenca të shkurtra, shihet se si ai nxirret nga qelia dhe dërgohet me urgjencë në spital.
E kisha kuptuar thellësisht se familja mund të ishte e tronditur nga pamjet e momenteve të fundit të jetës së Astritit. Por, ne besonim dhe ende besojmë se pamjet e transmetuara ofronin, para së gjithash, një informatë të rëndësishme edhe për vetë familjen mbi të vërtetën e vdekjes së tij, ndonëse jo edhe të vërtetën e plotë, sepse në transmetim nuk shihej se çka kishte ndodhur në vetë qelinë e burgut.
Kjo e fundit do të duhej të sqarohej me ekspertizën mjekoligjore pas obduksionit, gjatë të cilit kanë qenë prezentë edhe mjekët, edhe ekspertët neutralë, si dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, apo pas ndërmarrjes së masave të tjera hetuese që kanë pas qëllim zbardhjen e motiveve të vetëvrasjes ose të vrasjes, si dy opsione të supozuara, për çka mendimi nuk kishte dhënë asnjë qëndrim – as spekulativ – e as të vërtetën e plotë, sepse kjo duhet të konstatohej nga ekspertizat.
Incizimet e transmetuara në “Zona e Debatit” i kishin cilësuar material që “përpiqet që të mashtrojë publikun dhe ndikojnë drejtpërdrejt dhe të pengojnë një hetim të pavarur dhe neutral të këtij rasti”.
Këto supozime të ankesës, të Vetëvendosjes ishin krejtësisht spekulative, sepse paragjykonin incizimet, duke i quajtur ato të manipuluara, gjë që mund të vërtetohej vetëm me ekspertizë specialistike.
Hetuesia e kishte në posedim origjinalin e incizimit në QPP dhe vetëm ajo mund të jepte gjykimin nëse incizimi i transmetuar ishte i manipuluar. E nëse kësaj instance të hetuesisë zyrtare nuk i besohej, atëherë kjo do të duhej të sqarohej nga një super hetuesi neutrale, për të cilën janë ngritur kërkesat, por që familja dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë refuzuar propozimin që këtë super hetim ta bëjë Scotland Yard-i britanik.
Në fund, desha të them edhe këtë, duke qenë i paluhatshëm në atë që kisha thënë dhe që koha më dha të drejtë se:
Vendimi i TV Klan Kosovës për transmetim u bë pas një shqyrtimi jo vetëm të Kodeksit Ndërkombëtar të Gazetarëve dhe veçanërisht të kodekseve zvicerane, gjermane e austriake, por edhe të ligjeve mbi mediat dhe lirive të tyre për të raportuar mbi një ngjarje të ndjeshme dhe me shumë interes për publikun, gjë që e kemi bërë duke i respektuar të gjitha normat e mundshme.
Shikuesi ynë, publiku dhe shoqëria, kishin të drejtë para gjitha të tjerave të informoheshin rreth rastit aq dramatik që ndodhi dhe që vinte në pikëpyetje jo vetëm burgun në fjalë, por edhe vetë sistemin, shtetin.
Stafi drejtues i TV Klan Kosovës konsideron se u është përmbajtur të gjitha standardeve profesionale dhe etike, ligjore e humane, që nga marrja e burimit e deri te transmetimi i videos. Se videoja duhej patjetër të publikohej në atmosferë dhe kushte të tilla mund të sjellim qindra raste nga historia, të cilat janë në anën tonë.
Me keqardhje të madhe për shuarjen tragjike të Astrit Deharit, shpresojmë në mirëkuptimin e familjes Dehari!