I gjithë globi duket se po shkon drejt një vale të re të përhapjes së koronavirusit. Kjo pasi edhe në këtë 24 orësh, shifrat e infektimeve kanë pësuar sërish rritje, teksa në gjithë planetin kanë shkuar në mbi 555 mijë nga 514 mijë që ishin një ditë më parë.
Situata më problematike, edhe për shkak të pranisë së variantit delta është në Europë ku thuajse të gjitha shtetet kanë raportuar rritje të numrit të rasteve të reja.
Britani e Madhe vijon të ketë numrin më të madh të infektimeve ditore, duke raportuar mbi 44 mijë raste, pas saj vjen Spanja e cila ka shënuar një rritje të ndjeshme të përhapjes së virusit me 30 mijë infektime ditore.
Në rritje kanë ardhur infektimet edhe në Francë, autoritetet shëndetësore raportuan për rreth 21 mijë raste të reja. Gjithashtu pjesë e këtij trendi është edhe Italia, e cila raportoi mbi 4 mijë raste të reja.
Por ndërsa shifrat e infektimeve kanë ardhur në rritje ditë pas dite, fatalitetet kanë qenë të qëndrueshme me një numër të vogël të humbjes së jetës. Përjashtim bën Rusia e cila edhe këtë 24 orësh shënoi afro 800 vdekje.
Një situatë e vështirë pandemike paraqitet edhe në disa vende të Amerikës Latine, si Brazil, Argjentinë e Kolumbi, të cilat vijojnë të raportojnë shifra të larta infektimesh dhe humbje jete.
/a.r