Nga Jakin Marena
Gjykata Kushtetuese mori vendim një ditë më parë për të mos marrë vendim për zgjedhjet e pushtetit vendor të 30 qershorit të vitit 2019.
Themi kështu, pasi Kushtetuesja e cila është interprete e vetme e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e ka dërguar çështjen për mendim në Komisionin e Venecias.
Duke e bërë në këtë mënyrë “baltë” këtë proces, pasi dhe për gjërat më ordinere të gjitha institucionet po i drejtohen “Venecias”, duke tentuar të jenë “dorëjashtë” në çështjet sensitive dhe me peshë në politikën shqiptare.
Aq më tepër që e njëjta çështje, por e formuluar ndryshe ka mbërritur dhe njëherë në Komisionin e Venecias, i cili e ka dhënë opinionin e tij plot dy vite më parë.
Teksa me 2019 zgjedhjet vendore u mbajtën më 30 qershor, pavarësisht se opozita i bojkotoi, presidenti i Republikës Ilir Meta e zhdekretoi datën duke caktuar një datë tjetër, më 13 tetor, pa pyetur asnjë nga partitë politike.
Mazhoranca socialiste u fut në zgjedhje dhe fitoi në 61 bashki, edhe pse disa kryebashkiakë të PS u ‘përvëluan’ nga dekriminalizimi, ndërkohë që vetëm kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi përfitoi nga kjo situatë, duke qënë dhe sot e kësaj ditë në krye të kryeqendrës së Veriut dhe duke bërë madje dhe ankesën në emër të shoqatës së bashkive për 30 qershorin 2019.
Asokohe Kuvendi inicioi një proces shkarkimi për Ilir Metën teksa iu drejtua edhe Komisionit të Venecias për dekretin e Presidentit që shtynte datën e zgjedhjeve përtej limiteve të përcaktuara me konsensusin e të gjitha partive politike dhe të dekretuara nga vetë Meta.
Në raportin final Komisioni i Venecias do të konfirmonte se Ilir Meta kishte tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, por nuk precizoi se Presidenti duhej shpallur fajtor për shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasi nuk kishte sjellë pasoja.
E thënë më thjeshtë, 30 qershori ka shkuar një herë në Komisionin e Venecias dhe është gjykuar prej këtij Komisioni, por në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, e cila asokohe kishte vetëm një anëtare, Vitore Tushën që kishte mundur t’i mbijetonte Vettingut.
Në arsyetimet e Komisionit të Venecias rreth shkeljeve të Presidentit gjatë komisionit “numër 1” të ngritur për shkarkimin e tij, opinioni kryesor mbështetej në faktin se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën për shtyrjen e 30 qershorit, pasi nuk justifikohej marrja e këtij vendimi përmes një dekreti presidencial, për të zhdekretuar një dekret të nxjerrë më parë mbi bazën e konsensusit të partive politike për datën e zgjedhjeve.
Duke qënë se mazhoranca, e cila dominonte Parlamentin dhe drejtonte qeverinë nuk pyetën për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e Presidentit, madje as Kolegji Zgjedhor nuk e mori parasysh dekretin e ri të Ilir Metës, “Venecia” dha opinionin e vet se nuk krijoi asnjë pasojë në jetën politike dhe publike të vendit, sa Presidenti të shkarkohej.
Por ama, teksa ka analizuar dekretin e presidentit për zhdekretimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh, Komisioni i Venecias ka arritur në konkluzionin se ky vendim ishte antikushtetues, por pasoja të rënda.
Por kjo nuk e ka penguar “Venecian” për të arsyetuar më tej në lidhje me 30 qershorin, duke nxjerrë në pah përpjekjen e Presidentit për shtyrje të zgjedhjeve si një përpjekje për të bllokuar rendin kushtetues në vend si dhe ka evidentuar faktin se partitë politike nuk mund të ndalojnë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.
“Bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.
Ndryshe, këto parti do të mund të marrin kurajo për të penguar çdo zgjedhje. Rrjedhimisht, Presidenti ka tejkaluar kompetencat e dhëna me Kushtetutë, së pari duke anuluar dhe më pas duke shtyrë zgjedhjet lokale.
Së bashku, të gjithë këta elementë udhëheqin në përfundimin se, presidenti i tejkaloi kompetencat kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit elektoral të autoriteteve lokale pa një bazë specifike ligjore.
Sidoqoftë, elementët e cituar më sipër mund të çojnë në përfundimin se këto akte mund të mos kenë qenë të një natyre serioze, aq sa për të mandatuar gjykimin e presidentit”, thuhet në opinionin e “Venecias” të para dy viteve.
Pra, pavarësisht se kërkesa e atëhershme për opinion nga “Venecia” për 30 qershorin si dhe aktorët kërkues kanë qënë deputetë të mazhorancës, me qëllim koalidimin e një arsyetimi të bazuar për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit, çështja ka qënë e njejtë: intepretim të shtyrjes së datës së zgjedhjeve.
“Venecia” e ka dhënë opinionin e saj për 30 qershorin 2 vite më parë, pasi mungesa e Gjykatës Kushtetuese në atë kohë e kushtëzonte një veprim të tillë për të qënë sa më objektivë dhe të paanshëm në marrjen e një vendimi.
Ndërkohë që në rastin aktual të një dite më parë, është vetë Gjykata Kushtetuese, e cila s’vendos për 30 qershorin bazuar në opinionin e “Venecias”, por e dërgon sërish për mendim po në këtë Komision, me të njejtin objekt që kishte mbërritur dy vite në tavolinën e këtij intitucioni.
Dikush mund të mendojë se është një mënyrë e zgjedhur nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për të qënë larg “ngjyrosjes” politike pas këtij vendimi.
Dikush mund të thotë se është paaftësi për të marrë një vendim, ndaj kalon në aktin tjetër të paaftësisë duke kërkuar për të dytën herë opinion nga “Venecia” për të njëjten çështje për të cilën Komisioni është shprehur dy vite më parë.
Dikush mund të mendojë se një “larje duarsh” e tillë nga Kushtetuesja është bërë për shkak të interferencave politike që ekzistojnë tek anëtarët e Gjykatës, që kanë përzgjedhur si parësore preferencën politike mbi atë profesionale.
Por me sa duket e vërteta e këtij vendimi për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias për çështjen e 30 qershorit është akoma më e thellë.
Gjykata Kushtetuese ka marrë tashmë në dorë vendimin e arsyetuar të Parlamentit, sëbashku dhe me dokumentacionin e duhur, për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, nën akuzën e shkeljeve të rënda të Kushtetutës.
Në themel të vendimit për shkarkimin e Metës është dhe zhdekretimi i datës së zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019, një shkelje e rëndë dhe e dokumentuar nga ana e Kuvendit, të cilës i janë bashkangjitur dhe akuza të tjera për shkeljen e Kushtetutës në fushatën zgjedhore të 25 prillit 2021, thirrjet për dhunë dhe prishje të zgjedhjeve, me pasojë ngritjen e tensioneve politike si dhe humbjen e jetës së një personi në prag të zgjedhjeve.
Pra, Kushtetuesja po bën “provën gjenerale” për këtë vendim, dhe dje dha edhe “identikitin” e vendimit për shkarkimin e Ilir Metës. I cili sipas të gjitha gjasave do të degjenerojë në një vendim “as mish as peshk” dhe me shumë kërkesa për opinion të Gjykatës Kushtetuese në “Venecia”, për ta zvarritur atë deri në përfundim të mandatit në korrik 2022. Pra deri pas një viti!
Këtë e dëshmoi dhe sot Ilir Meta, teksa përmes një statusi në rrjetin social ushtroi presion mbi drejtësinë e re, duke “orientuar” dhe vendimin që pritet të jepet nga Kushtetuesja pas “Venecias”
“Në votimet moniste të 30 qershorit 2019, shqiptarëve ju mohua e drejta e zgjedhjes mes alternativave, duke shkelur dhunshëm Demokracinë, Kushtetutën dhe Parimin Themelor të ekzistencës së Europës së Bashkuar ku duam të bëhemi pjesë. Kurrë më votime moniste në Shqipëri! Mjaftojnë dhe kaq pak fakte, për ta kuptuar kushdo”, deklaroi kreu i shtetit publikisht.
Parë në këtë këndvështrim, ajo që mund të themi se me këto vendime të fundit, institucioni më i lartë i gjyqësorit në vend, i formatuar sipas ligjeve të reja të drejtësisë, nuk ka arritur pritshmëritë e kërkuara nga publiku dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, që financuan Reformën në Drejtësi.
Dhe kur Kushtetuesja heziton dhe kërkon opinion për të dytën herë për të njejtën çështje, jep sinjale se për çështje të rëndësisë së dorës së parë, do të ketë kundërshti të forta deri në fatalitet.
Madje të gjunjëzohet para presionit politik! Të shpresojmë se vendimi i një dite më parë ka qënë vetëm një çast dobësie, në fazën e parë të “koalidimit” të drejtësisë së re në majën e saj.
Ndryshe, mund të mendojmë se politika ia arriti të ketë përfaqësuesit e vet dhe në Gjykatën Kushtetuese, për të kontribuar fort në pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë.
Kaq të blinduara janë Vitore Tusha, Marsela e Alibeut dhe notere Bejtja ?
Nuk mund të therriten “për një kafe në rrugën e Elbasanit” ?