Nga Jakin Marena
Kuvendi i Shqipërisë sipas të gjitha përcaktimeve ligjore dhe Kushtetuese ka dërguar vendimin e tij për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, në Gjykatën Kushtetuese.
Pasi e ka shkarkuar me 104 vota, ky institucion e ka dërguar “paketë” tërë dokumentacionin me shkeljet e Kushtetutës nga Ilir Meta jo vetëm në Kushtetuese por dhe pranë organeve të hetimit, pasi gjykon se ka dhe vepra penale!
Tashmë është Gjykata Kushtetuese ajo që ka në dorë “fatin” politik të Ilir Metës por dhe më tej, pasi nëse shkarkohet për shkelje të rënda të Kushtetutës, atëherë SPAK dhe organet e tjera ligjzbatuese do ta marrin nën hetim penal kreun e shtetit, pikërisht për këto shkelje.
Shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të vendosin nëse Ilir Meta duhet të shkarkohet ose jo nga President i Republikës.
Por duke qënë se këtu jemi në Shqipëri e interferencat politike s’përjashtohen as në institucionin më të lartë kushtetues të gjyqësorit, që interpreton Kushtetutën, mbetet mister fakti se kur do të arrijë Kushtetuesja të japë këtë vendim për Ilir Metën.
E thënë me terma më të thjeshtë, mund të pyesim: Por sa kohë duhet që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim?
Pasi vetëm pas këtij vendimi Presidenti mund të quhet i shkarkuar ose mund të vijojë detyrën deri në përfundim të mandatit presidencial, në korrik 2022, siç deklarohet dhe vetë Ilir Meta!
Në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese ka një aneks për procedurat e shkarkimit të një presidenti.
Në nenin 47 pika 1, sqarohen afatet se kur kjo gjykatë duhet të shprehet për kalimin ose jo të çështje në seancë plenare, aty ku bëhet dhe shqyrtimi i thelluar i saj.
Shqyrtimi i çështjeve nga kolegjet ose mbledhja e gjyqtarëve përfundon brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës.
“Neni 47- Afati i fillimit të shqyrtimit të çështjes (ndryshuar me ligjin nr.99/2016, neni 41)
1.Shqyrtimi i çështjeve nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve përfundon brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, me përjashtim të rasteve kur ky ligj përcakton afate të tjera. Në çdo rast bisedimet dhe marrja e vendimit nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve bëhet mbi bazën e projektvendimit të përgatitur nga relatori.
2.Shqyrtimi i çështjes në seancë plenare bëhet pasi të jenë depozituar paraprakisht nga palët të gjitha materialet e nevojshme për gjykim, si dhe çështja të jetë përgatitur në tërësi nga relatori i çështjes. Relatori i çështjes paraqet në bisedime projektvendimin përkatës, mbi të cilin votojnë të gjithë gjyqtarët që kanë marrë pjesë në votim.
3.Vendimi përfundimtar shpallet i arsyetuar jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i seancës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj”, thuhet në ligj.
Tradita shqiptare e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ka treguar se nga momenti i kalimit në seancë plenare, deri në dhënien e vendimit, mund të kalojnë vite. Por sipas juristëve, në këtë rast nuk ka afate të sakta për aq kohë sa rasti është i paprecedentë.
Dhe teksa vijmë tek precedenti për një vendim të Gjykatës Kushtetuese që ka të bërë me institucionet më të larta të shtetit shqiptar, na vjen në ndihmë ai i 19 viteve më parë.
Kushtetuesja ka vendosur një precedent në vitin 2002, kur ka dhënë një vendim vetëm 24 orë pas depozitimit të kërkesës në këtë gjykatë, madje edhe e ka zbardhur këtë vendim, si një nga rastet e para dhe të fundit për nga shpejtësia e lëvizjes dhe vendimmarrjes.
Ishte vendimi nr.28, datë 21.02.2002, kur trupi gjykues i përbërë nga: Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Zija Vuci, Gjergj Sauli, Alfred Karamuço, Kristofor Peçi, Tefta Zaka, Petrit Plloçi, Sokol Sadushi, dhe Kujtim Puto, relator i çështjes, brenda 24 orëve nga depozitimi i kërkesës i dhanë të drejtë 29 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë duke e detyruar kryeministrin e sapo emëruar Pandeli Majko që të paraqiste, përveç programit dhe përbërjen e kabinetit të tij qeveritar.
Majko, i sapo mandatuar si kryeministër, në një periudhë përplasjesh në PS, kishte kërkuar që fillimisht të prezantonte programin e qeverisë e më pas të merrte votëbesimin për të dhe në një seancë tjetër të prezantonte emrat e ministrave të kabinetit të tij. Kjo kërkesë e Majkos u bllokua, pasi menjëherë deputetët mblodhën firmat dhe iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.
Bëhet fjalë për atë shkurt të “acartë” të vitit 2002, kur Ilir Meta që kishte mbajtur për dy vite postin e kryeministrit ishtë rrëzuar nga kreu socialist Fatos Nano, përmes “katharsisit” të famshëm.
Në atë kohë kishin nisur të shfaqeshin aleancat “fluide” mes Ilir Metës dhe Sali Berishës, duke tentuar të vendosnin Fatos Nanon nën presion për të bllokuar qeverinë kalimtare të Majkos që të miratohej.
Një ndër pengesat ishte dhe bllokimi i qeverisë së Majkos, përmes artificave dhe shfrytëzimit të hapësirave ligjore, që u zhbë nga ana e Gjykatës Kushtetuese për 24 orë. Por jo pa pasoja, pasi kreu i atëhershëm i Kuvendit Namik Dokle dha dorëheqje të parevokueshme nga posti.
“E kemi shqyrtuar çështjen brenda 24 orëve dhe pothuaj kemi fjetur në zyrë. Brenda një dite kemi përfunduar një interpretim, duke pezulluar rendin e ditës deri në dhënien e vendimit përfundimtar.
Pandeli Majko, i emëruar si kryeministër, po shpallte programin e qeverisë në Kuvend. Opozita e asaj kohe me Sali Berishën solli një kërkesë ku kërkoi të interpretohej dispozita ku bëhej fjalë që Kuvendi miraton programin e qeverisë dhe përbërjen e saj.
Opozita pretendonte se programi i qeverisë duhet miratuar më parë, pastaj të miratohet përbërja e qeverisë. Gjykata Kushtetuese u vu në vështirësi të mëdha, sepse për 1 orë Majko do të paraqiste programin e qeverisë në Kuvend.
Gjykata u mblodh në orën 14:30 dhe vendosëm, meqenëse ishim në kushte shumë të vështira dhe vendimi që mund të merrej më vonë, mund të kishte pasoja të mëdha juridike për qeverisjen, kemi vendosur pezullimin e shqyrtimit të kësaj pike të rendit të ditës, pra, prezantimit të programit dhe kabinetit qeveritar deri në marrjen e vendimit. Gjykata i çoi atë ditë Kuvendit vendimin e pezullimit.
Gjykata e shpalli vendimin e saj të nesërmen dhe të arsyetuar e tha që përbërja dhe programi i qeverisë mund të shpallen njëherësh, por nuk ka pengesë edhe nëse bëhet veç e veç. Majko të nesërmen vijoi me prezantimin e programit dhe qeverisë”, kujton atë vendim Fehmi Abdiu ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Pra precedenti i një vendimi të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese është vendosur që në vitin 2002 për ish kryeministrin Pandeli Majko.
Institucioni më i lartë i gjyqësorit në Shqipëri që ka në dorë dhe shkarkimin e Presidentit të Republikës, mund të japë dhe një vendim të shpejtë, pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, por që do të zgjidhte një ngërç të madh të përplasjes mes instituciuoneve më të larta të shtetit.
Nëse do të zvarrisë pa fund, ligji nuk i vë afat ligjore dhe vendimi mund të jepet dhe pas korrikut të vitit 2022, deri atëherë do të kemi një president nën gjykim, që nuk e njeh mazhoranca, por që ushtron të gjitha atributet e kreut të shtetit!
Eshtë në dorën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të japin një vendim në afate normale, apo ta zvarrisin pafundësisht shkarkimin ose jo të Ilir Metës.