Zjarri i rënë gjatë mbrëmjes në një shtëpi dykatëshe në lagjen Houslow, në Londrën perëndimore, i ka marrë jetën një familje prej pesë anëtarësh.
Flakët shkrumbuan totalisht banesën dhe vetëm një burrë ia doli të largohej përpara se të mbërrinte brigada e zjarrfikësve për të shuar zjarrin.
Pasi zjarrfikësit arritën të hynin në pronë, gjetën pesë persona në katin e parë të shtëpisë, të cilët u shpallën të vdekur në vendngjarje. Sakaq, personi që shpëtoi u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ende nuk dihet fati i një tjetri që raportohet i zhdukur.
Rreth 70 zjarrfikës dhe dhjetë makina zjarrfikëse ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes. Aktualisht autoritetet e kanë ende të paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Drejtuesi i Zjarrfikësve në Londër Andy Roe ka shprehur ngushëllimet e tij. Ai tha: “Ky është një incident tmerrësisht i trishtë dhe mendimet e të gjithë neve në Brigadën e Zjarrfikësve të Londrës janë me familjen, miqtë dhe të gjithë ata që janë prekur në këtë kohë të vështirë. Shkaku i zjarrit është duke u hetuar”.
/f.s