Policia e Durrësit ka reaguar për zjarrin e rënë gjatë natës së kaluar në Spitalin e Durrësit, ku u evakuuan të gjithë pacientët, pesë prej të cilëve u dërguan në Tiranë për mjekim.
Policia sqaron se ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në orën 00:25, në repartin e ortopedisë në spitalin e Durrësit, ku zjarri i rënë ka përfshirë kabinat elektrike të pavijonit.
Menjëherë kanë shkuar forcat e Policisë dhe zjarrfikësit. Shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe personeli kanë bërë të mundur evakuimin e të gjithë pacientëve nga të katër katet e pavijonit duke i transferuar në një pavijon tjetër.
Si pasojë e zjarrit janë asfiksuar 5 pacientë, të cilët janë dërguar në spitalin e traumës në Tiranë, për mjekim të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkaku i zjarrit ka ardhur si pasojë e përfshirjes nga zjarri të katër kabinave elektrike të katër kateve, ku zjarri fillimisht ka nisur në katin e parë dhe ka vazhduar deri në katin e katërt.
Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkakut të përfshirjes së kabinave elektrike nga zjarri.
g.kosovari