Dhjetëra mijëra banorë pranë qytetit Reno, në Nevada, janë urdhëruar të evakuohen pasi një zjarr i madh ka përfshirë zonat periferike të qytetit.
Rreth 42 mijë persona janë urdhëruar të largohen menjëherë nga shtëpitë, ndërsa 45 mijë të tjerë janë këshilluar të përgatiten për evakuim.
Zjarri, i cili shpërtheu të shtunën në mëngjes, deri tani ka shkaktuar plagosjen e gjashtë personave. Erërat e forta dhe kushtet e paqëndrueshme të motit kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve.
Guvernatori i Nevadës, Joe Lombardo, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Qarkun Washoe dhe ka aktivizuar Gardën Kombëtare për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit dhe në operacionet e sigurisë.
“Kjo është një situatë aktive dhe që evoluon me shpejtësi. I bëj thirrje të gjithëve në zonat e prekura të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e zyrtarëve lokalë”, deklaroi Lombardo.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga aktiviteti njerëzor dhe u raportua për herë të parë rreth orës 11:15 të shtunën.
Qendra e Informacionit për Emergjencat në Washoe bëri të ditur se deri tani janë djegur rreth 15 mijë akra tokë, ose afërsisht 23 milje katrorë.
Deri të dielën në mbrëmje, asnjë pjesë e perimetrit të zjarrit nuk ishte vënë nën kontroll, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të kufizuar përhapjen e flakëve.











