Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të njohë arritjet e vendeve kandidate që përmbushin kushtet dhe avancojnë me reformat, duke i kthyer këto rezultate në hapa konkretë drejt anëtarësimit.
Në një videomesazh drejtuar Konferencës Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, McAllister theksoi se procesi i zgjerimit është i rëndësishëm për forcimin e sigurinë dhe stabilitetit afatgjatë të kontinentit.
Sipas tij, “BE nuk duhet të lejoje hapësira në rajon që vendet e treta të zgjerojnë ndikimin e tyre negativ”. McAllister tha se përgjegjësia në procesin e integrimit është e dyanshme. Vendet kandidate duhet të vijojnë me reformat, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të reagojë ndaj progresit të tyre.
“Në qendër të programit të BE-së është begatia, prosperiteti dhe siguria, dhe zgjerimi ndihmon në forcimin e të tria këtyre shtyllave. Ai afron ekonomitë me njëra-tjetrën, forcon demokracitë dhe ndihmon në një qëndrueshmëri afatgjatë në kontinentin tonë. Sulmi rus në Ukrainë ka theksuar rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së. Të lësh rajonin në një pasiguri kaq të gjatë krijon mundësi që edhe palë të treta të zgjerojnë ndikimin e tyre negativ aty.
BE-ja duhet t’i çojë përpara negociatat sa herë përmbushen kushtet dhe vendet që bëjnë reformat duhet të rrisin besimin te BE-ja. BE-ja duhet të mbajë angazhimin që ka ndërmarrë. Përgjegjësia është dypalëshe: vendet duhet të ecin përpara me reformat dhe BE-ja duhet t’i njohë arritjet dhe t’i kthejë ato në hapa të mëtejshëm për anëtarësimin”, tha ai.
Duke iu referuar Shqipërisë, McAllister vlerësoi hapjen e të gjitha grupkapitujve të negociatave, duke e cilësuar këtë si rezultat të një pune të rëndësishme. Megjithatë, ai nënvizoi se procesi kërkon vijimin e reformave, veçanërisht në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve publike.
Parlamenti Evropian, tha ai, do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe Malin e Zi në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt dhe këto arritje pasqyrojnë një punë shumë të madhe të bërë nga qeveria dhe shumë prej nesh që jemi të angazhuar për ta parë të ardhmen e Shqipërisë në BE. Kjo punë i duhet njohur Shqipërisë. Tashmë sfida që qëndron është forcimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit, si dhe të sigurohemi që institucionet publike t’u shërbejnë mirë qytetarëve të vet. Ju nxis që këto reforma t’i ndiqni me po atë vendosmëri. Parlamenti Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe Malin e Zi në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit”, tha ai.











