“Shqipëria nuk kërkon favore apo rrugë të shkurtra në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita”.
Kështu deklaroi Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë Konferencës Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, që u zhvillua në Tiranë.
Hoxha theksoi se zgjedhja evropiane e Shqipërisë nuk është diktuar nga leverdia apo rrethanat, por është një vendim strategjik kombëtar, i mbështetur ndër breza dhe nga një konsensus i gjerë publik.
“Për Shqipërinë, zgjedhja evropiane nuk është diktuar nga leverdia apo rrethanat. Ajo ka qenë një vendim strategjik kombëtar, i përqafuar nga breza shqiptarësh dhe i mbështetur nga një konsensus jashtëzakonisht i fortë publik”, u shpreh Hoxha.
Sipas ministrit, Evropa për Shqipërinë nuk përfaqëson thjesht një destinacion, por një kthim në atë që e cilësoi si “shtëpinë ku përket”.
Hoxha nënvizoi se Shqipëria ka ndërmarrë një prej agjendave më ambicioze të transformimit në historinë e saj, duke përmendur reformimin e sistemit të drejtësisë, modernizimin e administratës dhe përmirësimin e qeverisjes.
Duke folur për parimin e meritës në procesin e zgjerimit, ministri deklaroi se vendet kandidate duhet të përmbushin detyrimet dhe të sigurojnë rezultate të prekshme, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të njohë përparimin kur ai arrihet.
“Ne nuk kërkojmë favore, as rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita; një proces në të cilin rezultatet sjellin përparim dhe përparimi të mund të njihet. Parimi i meritës është thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe duhet të mbetet në thelb të tij”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se ky parim duhet të funksionojë në të dyja drejtimet, duke theksuar se vendet kandidate duhet të realizojnë reformat, t’i zbatojnë ato dhe të arrijnë rezultate konkrete, ndërsa BE-ja duhet t’i përgjigjet këtij progresi.
Sipas Hoxhës, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Në më pak se dy vjet kemi hapur të gjithë kapitujt, kemi përmbushur standardet dhe kemi nisur fazën e fundit, atë të mbylljes së kapitujve”, tha ai.
Ministri theksoi se anëtarësimi nuk duhet të shihet thjesht si arritja e një date në kalendar, por si përmbushja e nivelit të nevojshëm të përgatitjes që një vend të jetë në gjendje të kontribuojë plotësisht në projektin evropian që nga dita e parë e anëtarësimit.
Për këtë arsye, sipas tij, fokusi i Shqipërisë në këtë fazë është te zbatimi i reformave.
“Angazhimi ynë është i palëkundur. Reformat tona vazhdojnë. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja e një Bashkimi Evropian më të fortë, më të sigurt dhe më të plotë përfshin pa diskutim Shqipërinë”, përfundoi Hoxha.











