Ambasadori i ri amerikan, Eric Wendt e ka shmangur Sali Berishën nga çdo takim, por kreu i PD nuk i shpëtoi dot një pyetje nga qytetarët për misionin e diplomatit në vendin tonë. Berisha u pyet për vizitat që Wendt ka zhvilluar në SPAK me drejtuesin Klodian Braho dhe kreun e BKH-së, Joni Keta, por edhe kësaj radhe ai rezervoi sulmet për Prokurorinë e Posaçme.
Berisha tha se për Wendt dhe zyrtarët që shkojnë të vizitojnë SPAK ka vetëm një mesazh, që sipas tij Prokuroria e Posaçme është armike e pluralizmit, pasi ka amnistuar krimin elektoral.
Pyetje: A jeni në dijeni të vizitës së ambasadorit amerikan në SPAK dhe cila mendoni se është arsyeja e vizitës së ambasadorit amerikan dhe dy senatorëve në SPAK, me Klodian Brahon dhe Joni Ketën?
“Kam parë lajmin. Dhe e vërteta është që SPAK-u është sot institucioni më i vizituar nga dinjitarët ndërkombëtarë. Nuk kanë, në vlerësimin tim, asnjë qëllim përveçse inkurajimit të SPAK-ut në misionin e tij. Por, të gjithë atyre që vizitojnë SPAK-un, unë dua t’i njoftoj se SPAK-u është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Ky është problemi më themelor i SPAK-ut.
SPAK-u amniston krimin elektoral në emër të interesave të partisë së tij. Se SPAK-u mbi 51 dosje të dorëzuara me dokumente, ja ku është ky libër, 1500 faqe libri, mbi 51 dosje të krimit elektoral, që përfshijnë Edi Ramën, përfshijnë ministrat, të denoncuar dhe në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, nuk ka shfletuar asnjë dhe i ka amnistuar. Për mua, për Shqipërinë, për shtetin ligjor, ky është problemi më madhor, numër një i SPAK-ut.
Gjersa SPAK-u mban këtë qëndrim ndaj krimit monstruoz elektoral, ai është një armik i betuar i pluralizmit politik. Dhe kjo është e faktuar, s’ka asgjë më të faktuar se kjo, cilido që e viziton. Amnistimi i krimit elektoral është atentat ndaj pluralizmit, për aq sa vota e lirë, për aq sa partitë politike kanë peshën në pluralizmin politik”, tha Berisha.
Gjatë së shtunës dy senatorë amerikanë dhe ambasadori i SHBA zhvilluan një takim me deputetët e opozitës, Jorida Tabaku, Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbshi ndërsa shmangën një takim me kreun e opozitës.

