Sokol Hoxha, i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Patos në vitin 1997, kërkon shpalljen e parashkrimit të dënimit penal.
Çështja po shqyrtohet nga Gjykata e Fierit, ku seanca e mëparshme ishte shtyrë për të kërkuar informacion nga Gjykata e Lartë lidhur me vendimmarrjen më të fundit për këtë çështje.
51-vjeçari është paraqitur sërish në gjykatë, ku kërkon të përfitojë nga parashkrimi i dënimit të dhënë në mungesë në vitin 2000. Ai akuzohet për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 1997, pranë tregut të fruta-perimeve në Patos.
Sipas raportimeve të kohës, shkak i konfliktit që përfundoi me vrasjen e dy vëllezërve dyshohet të ketë qenë një debat për një kasetofon makine. Pas ngjarjes, Hoxha u largua fillimisht drejt Greqisë dhe më pas u vendos në Belgjikë, informon TCH.
Kërkesa për parashkrimin e dënimit vjen pas më shumë se dy dekadash nga ngjarja. Sokol Hoxha u arrestua në Shtetet e Bashkuara në muajin maj, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese shqiptare, belge dhe amerikane. Më 6 gusht, ai u ekstradua në Shqipëri dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin prej 25 vitesh burgim.

Përveç dënimit në Shqipëri, Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e Brunilda Dervishit, ngjarje e ndodhur më 29 gusht 1997, në Bruksel. Sipas hetimeve, viktima dyshohej se ishte shfrytëzuar për prostitucion dhe vrasja erdhi pasi ajo kishte kundërshtuar këtë shfrytëzim.
Çështja në Gjykatën e Fierit po shqyrtohet nga gjyqtarja Aurora Tusha, ndërsa përfaqësuese e prokurorisë është Malbora Dinaj. Sokol Hoxha përfaqësohet nga avokatët Toto Avdija dhe Rozeta Plaku.
Vendimmarrja e gjykatës për kërkesën e parashkrimit pritet të përcaktojë vijimin e procedurave lidhur me dënimin e dhënë për vrasjen e dy vëllezërve në Patos.

