Nga Mero Baze
Ngjarja tragjike e Ksamilit, përveçse një fatkeqësi e rëndë për familjen e 20-vjeçarit portugez, është një goditje e padrejtë mbi imazhin e turizmit shqiptar.
Në një vend me turizëm në rritje, ngjarjet kriminale janë të pashmangshme, por, për fatin e mirë, Shqipëria nuk është përballur me to. Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta në Evropë, ku vajzat dhe djemtë e rinj shëtisin deri në pesë të mëngjesit rrugëve dhe klubeve të qytetit pa ndodhur asnjë incident serioz.
Siguria personale e një vajze të re që ecën rrugëve të Tiranës është shumë më e lartë se ajo e një vajze që mund të tentojë të ecë vetëm pas mesnate në kryeqytete të tjera evropiane.
Tek të huajt, ky element sigurie është edhe më i lartë për shkak të një tradite që shqiptarët kanë për respektin ndaj të huajve.
Për këtë arsye, ngjarja tragjike e Ksamilit është atipike dhe nuk ka të bëjë me mjedisin e turizmit, që në Shqipëri vazhdon të jetë i sigurt, por me hotspote të veçanta të turizmit të luksit në Shqipëri që janë problematike.
Në gjithë bregdetin shqiptar ka pika luksoze turizmi, bazuar mbi festa në plazh apo disko me orare të zgjatura, që janë jashtë standardeve ligjore të sigurisë.
Për të shmangur incidentet, pronarët, që zakonisht janë njerëzit më problematikë të vendit, punësojnë aty oficerë policie në detyrë që mbikëqyrin sigurinë. Duke qenë se vijnë nga Policia e Shtetit, madje edhe nga sektorë specialë të saj, si RENEA apo patrullat, ata janë problemi kryesor, pasi nxisin arrogancën e pronarëve dhe personelit, që janë të paprekshëm nga ligji dhe policia.
Ksamili është rasti i dytë në Sarandë, pas sherrit dhe dhunës ndaj shefit të Krimeve të Sarandës nga rojet e sigurisë së një diskoje, që po ashtu ishin punonjës policie në detyrë.
Ky mekanizëm i shëmtuar i punësimit ilegal të policisë në pika problematike të turizmit të luksit duhet të marrë fund. Dhe që të marrë fund, duhen rregullore të veçanta sigurie për aktivitete të tilla, që të certifikohen nga policia lokale. Policia lokale duhet ta dijë me emër e mbiemër kush janë rojet e sigurisë në atë lokal, cila është biografia profesionale e tyre, cila është skeda kriminale e tyre dhe gjithçka tjetër. Arsyeja është se ata kanë në dorë jetën dhe sigurinë e qindra të rinjve shqiptarë dhe të huaj që frekuentojnë këtë lloj turizmi.
Çdo shërbim special turizmi në bregdet apo qytet duhet t’i nënshtrohet një rregulloreje sigurie, jo vetëm nga dhuna dhe vrasjet, por edhe nga zjarri apo probleme të tjera të sigurisë në lokal. Janë të freskëta rastet e Maqedonisë së Veriut apo Zvicrës, ku në diskoteka të tilla janë djegur njerëz të gjallë.
Shto këtu edhe biografinë problematike të investitorëve të këtyre pikave, që në Shqipëri është një trashëgimi de facto e botës së krimit, dhe nevoja për një standard sigurie ligjore të ndryshëm nga pjesa tjetër e turizmit është urgjente. Praktikisht, duhet të kthehet në një licencë të dhënë nga qeveria dhe jo në një aktivitet të vetëdeklaruar, pa asnjë garanci se në dorë të kujt janë jetët e qindra djemve e vajzave të reja që frekuentojnë këto klube.
Shqipëria nuk ka shumë pika të tilla argëtimi për turistët që nuk kontrollohen dot. Në gjithë bregdetin, nga Shkodra në Ksamil, mund të jenë 10 deri në 15 pika të tilla. Nuk është aq e vështirë që për to të ketë rregullore speciale licencimi, që bazohen kryesisht te standardet e sigurisë, ku duhet të përjashtohet çdo punonjës policie si i punësuar jashtë orarit dhe çdo njeri me lidhje kriminale i punësuar në sigurinë e lokalit.
Thjesht, policia duhet ta dijë kush është aty dhe me kë ka punë në rast konflikti. Vrasja me thikë nga nipi i pronarit, në një lokal, është përtej çdo logjike, pasi tregon, mes të tjerash, se në dorë të kujt është turisti. Nuk është se u vra nga pakujdesia, nga zjarri apo nga uji, çka edhe ajo duhet garantuar. Vrasja me thikë, përveçse barbare, është një veprim shumë i vetëdijshëm, çka tregon thelbin e problemit që kanë standardet e sigurisë në pika të tilla turizmi.
Dhe kjo nuk zgjidhet duke u kërkuar “Besë” këtyre pronarëve të mos e bëjnë më. Ata pikërisht kanë prerë në besë dikë që u ka trokitur në derë. Ndaj duhet ligj special për sigurinë në shërbime të tilla turistike. Besën le t’ia japin njëri-tjetrit, meqë u ka mbetur si zakon, por siguria duhet të burojë nga ligji.











