Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Medlir Mema, ka komentuar zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke u ndalur te lufta në Gaza dhe përhapja e konfliktit në rajon.
Mema tha se Gaza, e cila para konfliktit ishte një territor me rreth 2 milionë banorë, tashmë përballet me një situatë të rëndë humanitare.
Sipas tij, ka ndryshuar edhe mënyra se si Izraeli e sheh sigurinë e tij dhe marrëdhëniet me Libanin. Ai kujtoi se, para përshkallëzimit të konfliktit, priteshin marrëveshje të reja mes vendeve arabe dhe Izraelit.
Sipas tij, që nga tetori i vitit 2023, konflikti Izrael-Palestinë është shtrirë edhe në Liban, ndërsa pasiguria vijon në Bregun Perëndimor dhe zhvillime të rëndësishme kanë ndodhur edhe në Siri.
“Gaza ishte një qytet me 2 milionë banorë që tashmë nuk jetojnë më atje, janë në mëshirë të fatit. Ka ndryshuar mentaliteti dhe mënyra që Izraeli sheh sigurinë e tij dhe marrëdhëniet me Libanin. Në prag të luftës pritej për marrëveshje mes vendeve arabe dhe Izraelit. Tani flasim për një konflikt të hapur. Kemi një situatë të vështirë dhe politike të vështirë edhe për Netanyahun. Që nga tetori 2023 e sot ka nisur një konflikt Izrael-Palestinë, shpërndahet në Liban, kemi një vazhdimësi pasigurie edhe në Bregun Perëndimor, çështja në Siri, edhe presidenti Assad u largua dhe është në qeverisje të re vendi. Të gjitha këto shtohen dhe lufta Iran-SHBA, ku Izraeli është nxitës kryesor. E vetmja linjë është dhe Turqia-Izraeli, por në fakt ka pasur zhurmë, edhe pse nuk mund të mendohet. Është tragjike ajo që ka ndodhur në tre vitet e fundit, është vazhdimësi e politikave të ndjekura.”











