Pas Britanisë së Madhe, virusi “zika” po gjen terren dhe vijon përhapjen në vende të tjera evropiane. Autoritetet daneze të shëndetësisë raportuan zyrtarisht rastin e parë me virusin e rëndë i cili paraqet rrezik të madh për gratë shtatzëna dhe fëmijët e tyre.
Personi i diagnostikuar u konstatua nga mjekët në qytetin e dytë më të madh në Danimarkë, në Aarhus.
Ai ishte kthyer nga një udhëtim në Amerikën Latine, zonë e cila është vënë në alarm pasi virusi ka prekur thuajse të gjithë kontinentin.
Gjatë fundjavës janë regjistruar edhe tre raste të virusit tek disa njerëz të cilët janë kthyer nga udhëtimi në Kolumbi, Surinam dhe Guajanë për në Britani. Megjithëse virusi nuk transmetohet direkt nga personi në person Instituti i Shëndetit Publik të Anglisë ka paralajmëruar se megjithatë ka një numër të vogël të rasteve ku virusi transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale ose nga nëna tek fetusi nëpërmjet placentës.