Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha nga Prishtina se dënimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe se rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim.
Von der Leyen, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar që mandati i Gjykatës Speciale të respektohet dhe që mbrojtja të shfrytëzojë të drejtën e apelit.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. 1999 është e skalitur dhe vuajtja që e ka pësuar populli juaj do të qëndrojë me ju përgjithmonë. BE-ja është partner i fuqishëm i Kosovës. Mandati i saj duhet të respektohet dhe mbrojtja ka të drejtë të apelojë. Ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, ka thënë von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian ka kërkuar gjithashtu nga partitë politike që të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Zgjedhja e presidentit. Dialogu mes partive politike është i mundur dhe duhet të vazhdojë. Stabiliteti institucional është kyç”, ka thënë ajo.
Gjithashtu ajo i përgjigj kërkesës së kryeministrit Kurti për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave, me sfidën “vijoni reformat për në BE”.











