Një 36-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit pasi kanosi një të moshuar me kallashnikov pas një konflikti për motive të dobëta.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pasi morën informacion për një konflikt në lagjen nr.8, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe parandalimin e përshkallëzimi të tij. Në kuadër të operacionit të koduar “Relatives”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
-H. Ll., 36 vjeç, banues në Durrës, shtetas me precedentë të theksuar penal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit. Ky shtetas dyshohet se është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin E. B., 69 vjeç, banues në Durrës dhe më pas e ka kanosur atë, me armë zjarri kallashnikov, që e posedonte pa leje”, tha policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. Ll., shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit kallashnikov që dyshohet se është përdorur për kanosjen dhe një krehër me municion luftarak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.











