Nga Aisha Ahmad, Daniel Douek*
Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të qëlluar me 59 raketa Tomahouk Sirinë, po përshëndetet si një fitore ushtarake dhe morale, kundër regjimit brutal të Assadit” Senatori i Arizonës, John McCain, i cili e ka kritikuar fort Trumpin, tashmë e ka inkurajuar të përshkallëzojë bombardimet. Madje, edhe Hillary Clintoni e ka vlerësuar sulmin.
Megjithatë, nga një këndvështrim strategjik, largimi i papritur i Trumpit, prej politikës së tij të mosndërhyrjes në Lindjen e Mesme, është tepër i rrezikshëm. Me trupat, avionët dhe raketat ruse, si dhe një kontingjent të madh të trupave iraniane të vendosur në Siri, përshkallëzimi i papritur i sulmeve të SHBA, mund të shkaktojë lehtësisht, një luftë më të gjerë. Nuk është çështja të sulmosh, a të mos sulmosh. Ajo që ka rëndësi, është se amerikanët janë bërë rrezikshëm të paparashikueshëm.
Çdo gjë që ne dimë për marrëdhëniet ndërkombëtare, na mëson se kjo lloj paparashikueshmërie, është shkaku më i madh i luftës globale. Gjëja më e rrezikshme në lidhje me Z. Trump, është se as miqtë, as armiqtë e tij, nuk munden t’u japin kuptim sinjaleve të tij. Të qënit i paparashikueshëm mund të të ndihmojë të fitosh në një ring boksi, por në marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo është një strategji humbëse. Çdo herë që një superfuqi dërgon mesazhe të përziera ndaj botës, rivalët e saj hutohen, bëjnë gabim llogaritë për lëvizjet e tyre të ardhshme, dhe e teprojnë. Rezultati është pashmangshmërisht një katastrofë.
Në Siri, ky problem ka filluar në vitin 2012, kur administrata Obama shpalli një “vijë të kuqe” për regjimin e Asadit, për përdorimin e armëve kimike. Në gusht 2013, Presidenti sirian Bashar al-Assad kreu një sulm me gaz kundër popullsisë së tij, duke sfiduar bllofin e ish presidentit Obama. Në vend të hyrjes në luftë, Obama bëri një marrëveshje të papritur me presidentin rus, Vladimir Putin, për të detyruar Assadin të tërhiqej nga armët kimike, si dhe të dorëzonte një pjesë të madhe të rezervave të tij.
Në këtë fazë, pavarësisht hezitimit të Obamës, edhe sirianët, edhe rusët pranuan sinjalin e SHBA, se armët kimike ishin jashtë tryeze. Këto sinjale më pas u ndryshuan në mënyrë dramatike, me administratën e re Trump. Gjatë gjithë fushatës së tij dhe muajt e parë të presidencës, Trumpi në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të ngatërrohen në konfliktin sirian. Vetëm dy ditë para sulmit me gaz, administrata Trump përsëri rikonfirmoi, nëpërmjet ambasadores së saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley dhe Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, se nuk ishte duke planifikuar që të ndërhynte në Siri, dhe se rrëzimi i Assadit nuk ishte një prioritet për amerikanët. Në asnjë moment, administrata Trump nuk bëri të qartë se ka një “vijë të kuqe”, që regjimi i Assadit nuk duhej ta kalonte.
Duke besuar se amerikanët po hiqeshin mënjanë, regjimi i Assadit intensifikoi sistematikisht sulmet kundër rebelëve, gjë që e pati kulmin me një valë të re sulmesh vdekjeprurëse me gaz. Pastaj krejt papritur, teksa tmerri i publikut ndaj mizorive u shtua, Trumpi ndërroi mendje, dhe urdhëroi sulm me raketa kundër bazave siriane, brenda më pak se një dite. Trumpi deklaroi se Assadi jo vetëm se kishte shkelur “vijën e kuqe”, por kishte shkelur “shumë, shumë vija”. Ishte një tjetër ndryshim dramatik.
Trumpi ka insistuar prej kohësh se kur përdoret forca ushtarake, nuk është gjë e mençur që të zbulosh planin para goditës, me qëllim që armiku të mos jetë gati: Në një postim në Tuiter në 29 gusht 2013, ai shkruante se “nuk do të shkoj në Siri, por në qoftë se e bëj, do ta realizoj në befasi dhe nuk do të flas lartë e poshtë në media, si budalla”. Kjo është qesharake, sepse vijat e padukshme të kuqe janë të padobishme. Parandalimi ushtarak funksionon vetëm kur rivalët e dinë paraprakisht se ku janë hequr “vijat e kuqe”. Sulmi nuk ishte një veprim parandalimi. Ishte një reagim i vrullshëm.
Ka njerëz brenda administratës Trump, të cilët e kuptojnë rrezikun e shkaktimit pa dashje, të luftës së tretë botërore. Kjo është arsyeja pse sulmi u ekzekutua me raketa me rreze të gjatë, nga një distancë e madhe, pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë për sulmin e afërt, dhe pastaj sirianët evakuuan personelin e tyre nga zona. Por nuk ka asnjë dyshim, që ky ndryshim ka rritur gjasat, se lufta do të dalë edhe më tej jashtë kontrollit.
Sulmi dërgoi një sinjal të beftë se amerikanët mund të jenë sërish në lojë, duke garantuar kështu që rusët dhe sirianët do të forcojnë pozicionet e tyre të mbrojtjes. Sulmet ajrore mund të kenë kufizuar përkohësisht përdorimin e armëve kimike nga Assadi, por këta sinjale tashmë e bëjnë më të mundshëm përshkallëzimin.
Nëse SHBA vazhdon në këtë kurs paparashikueshmërie, do të jetë vetëm çështje kohe, përpara se të godasin një shënjestër ruse, apo vrasin trupa ruse. Ndërkohë, ka sfida serioze me Kinën dhe Korenë e Veriut. Armiqtë e SHBA po vështrojnë. Dhe ajo që shohin, është një president i hallakatur, që nxitet prej turfullimës dhe impulsit, dhe të cilit i mungon mprehtësia politike për të “lundruar” mespërmes këtyre konflikteve kompleksë.
*Aisha Ahmad është profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë ndërkombëtare në Universitetin e Torontos. Daniel Douek është profesor i shkencave politike në Concordia University dhe McGill University.
Pëkthimi: bota.al