Gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç mund ta kishte imagjinuar për fansin që u ngjit në skenë dhe u përpoq të prishte performancën e Action Bronson në festivalin “Lovebox” në Londër, pasi reperi me origjinë shqiptare, ndaloi në mes të këngës e goditi atë me grusht e më pas e hodhi nga skena.
Lajmi bëhet i ditur nga britanikja “The Independent”, sipas së cilës, ish – shefi i kuzhinës Bronson, e ndërpreu vetëm për pak sekonda këngën, e hodhi fansin nga skena dhe vijoi të këndonte normalisht.
Ky moment u filmua nga fansa të shumta që po ndiqnin performancën e reperit, të cilët e postuan më pas në rrjete sociale.
Brett Leppard, pjesë e stafit të “The Independent”, i cili ishte prezent gjatë performancës, tha se personi në fjalë ishte me fat, pasi Bronson u përpoq ta godiste dy herë, por pa sukses, ndërsa theksoi se turma e ekzaltua edhe më shumë nga veprimi i reperit 31 – vjeçar.
Kjo nuk është hera e parë që Action Bronson hedh nga skena fansa që kërkojnë të ndërhyjnë gjatë performancës së tij.
Sipas gazetës britanike, një situatë e ngjashme ndodhi gjatë muajit Mars në New York, ndërsa në një tjetër rast në Florida, Bronson përdori një goditje koplekse xhudoje për të hedhur nga skena fansin.
31 – vjeçari Bronson, i cili është rritur në New York, ka lindur nga një baba shqiptar dhe nënë njujorkeze.
Përpara se të niste karrierën si reper, ai ka punuar si shef kuzhine në New York, si dhe ka patur edhe një show online, të quajtur “Action in the Kitchen”. Pasi theu këmbën në kuzhinë, në 2011, ai vendosi që t’i përkushtohet ekskluzivisht karrierës së tij si reper.
Ndërkohë, Festivali “Lovebox” që mbahet në “Victoria Park”, organizohet që prej vitit 2002 dhe këtë vit në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës botërore, si Snoop Dogg, Rudimental, Hot Chip e Cypress Hill.









