Vetëvendosje thotë se “Republika jonë është në rrezik”. Sipas saj, shteti është kapur nga njerëzit e korruptuar, që për ta ruajtur pushtetin e tyre po e shesin vendin; që për t’i pasuruar familjet e tyre, po e varfërojnë popullin.
“Ata premtuan qindra mijëra vende të reja pune, kurse në vend të kësaj detyruan qindra mijëra të rinj e të reja ta lëshojnë Kosovën. Ata premtuan zhvillim ekonomik, sovranitet e demokraci, kurse në vend të kësaj po na e sjellin ‘Zajednicën’ që e pamundëson zhvillimin, e redukton sovranitetin dhe e ndan etnikisht vendin. Po na sjellin marrëveshje demarkacioni që mbi 8,000 hektarë të Kosovës ia fal Malit të Zi”, thuhet në thirrjen e Vetëvendosjes për vullnetarë.
“Republika është në rrezik, kurse qytetarët janë të vetmit që mund ta mbrojnë atë. Prandaj, bëjmë thirrje për mobilizim të përgjithshëm për ta mbrojtur Republikën tonë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.









