• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, October 8, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Vetëvendosje, Doktor, jo nënshtrim para të huajve

by Albatros Rexhaj
08/10/2026 12:08
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Albatros Rexhaj

Fjalën e titullit sot e mban një parti në Prishtinë, Doktor. Mos u ngatërro. Fjala është më e vjetër se partia, dhe më e vjetër se ti e unë. Do të thotë që shqiptarët i ndajnë vetë hallet e shtëpisë së tyre.

Të martën dole para gazetarëve dhe the se “provat” për kompaninë shtetërore të armëve KAYO do t’i çosh jashtë. “Ne do të informojmë të gjitha ministritë e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe vetë aleancën.” Tridhjetë e një ministri të huaja, nga Uashingtoni në Ankara, do të marrin një letër nga kreu i opozitës shqiptare, ku shkruhet se industria ushtarake e vendit të tij është “skemë mafioze”.

Ç’është ky budallallëk?

Sa herë na mbaron fjala me njëri-tjetrin, ne shqiptarët vrapojmë te dera e ambasadës. Kur s’na pëlqen gjykata, presim ambasadorin. Kur humbim zgjedhjet, presim një komunikatë në anglisht. Ti e ke çuar zakonin një shkallë më lart: u bie tridhjetë e një dyerve përnjëherë.

Një politikan i djathtë e ka punë të parë sovranitetin. Ti i shpall të huajt regjentë të Shqipërisë, një pushtet kolonial që rri mbi Kushtetutën tonë. Ne jemi në NATO si shtet, dhe aleatët i informon shteti, me rrugët e shtetit, kur hetimi ka diçka për t’u thënë. Letrat e një kryetari partie, me hetimin ende hapur, janë padi kundër vendit tënd para botës.

SPAK-u ka hyrë në banesën e Roni Yeffet-it, në zyrat e KAYO-s dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe ka marrë dokumentet. Provat, thua, do t’ia çosh edhe atij. Po të të mjaftonte drejtësia shqiptare, do të ndaleshe aty. Shumica ta rrëzoi komisionin hetimor, e vërtetë. Kush humbet një votë në Kuvend ka prokurorinë, gjykatën dhe zgjedhjet.

Pesë vjet na the se vendimi i një qeverie të huaj kundër teje ishte i padrejtë. Kur gjykimi i të huajve ra mbi ty, nuk vlente. Tani që duhet gjykuar një kompani e shtetit shqiptar, vetëm të huajt vlejnë. Vendos, Doktor.

U fole të huajve edhe për kredinë amerikane të ushtrisë, që gjoja mund të bjerë “në duart e zeza” të Yeffet-it. Kredia është 302 milionë dollarë, e ratifikoi Kuvendi ynë më 27 korrik, dhe me të blihen armë amerikane nga fabrika amerikane. Kur u shkruan të huajve, të paktën shkruaju saktë.

Në shkurt 2025 na solle Chris LaCivita-n dhe na the se fushatën po ta bënte strategu i fitores së Trump-it. Sipas raportit që vetë PD-ja dorëzoi në KQZ, firma e tij mori mbi 1.6 milionë dollarë. Me të erdhi Paul Manafort. Gjashtë milionë të tjera u nënshkruan me firmën Continental Strategy për lobim në Uashington, dhe partia jote thotë se i paguan një fondacion shqiptaro-amerikanësh. Zgjedhjet i humbe.

Po atë të martë që ti flisje për NATO-n, New York Times shkroi se LaCivita dhe James Blair, njeriu që i drejton Trump-it fushatën e nëntorit, kishin qenë në Republikën Sërpska ditët para zgjedhjeve të 4 tetorit. Aty e nxirrnin bukën. Qeveria e Dodikut i pagoi, përmes një zyre avokatie në Uashington, me qindra mijëra dollarë secilin. Pesë ditë para votimit Putin e priti Dodikun në Kremlin dhe i uroi sukses. Natën e fitores Dodiku falënderoi Putin-in dhe tha se pa Trump-in ai dhe të tijtë do të ishin “kufoma politike”. Manafort, sipas Politico-s, e këshillon partinë e Dodikut që vjet. Continental Strategy e ka Republikën Sërpska klient që nga shkurti.

Të nesërmen Trump shkroi se këta të dy janë “konsulentë të jashtëm”, se nuk e ka idenë për kë tjetër punojnë dhe se i largon menjëherë po të ketë konflikt interesi. Reuters shkroi se udhëtimi e kishte zënë në befasi dhe e kishte zemëruar. Më vonë atë ditë tha se konflikt nuk ka. Steve Bannon i quajti batakçinj dhe kërkoi auditim të parave.

Kushdo që i njeh dinamikat e sotme në Uashington e di se si sillet Trump kur i sulmojnë njerëzit e tij. I mbron, shan gazetën dhe ua hedh fajin demokratëve. Këtë herë i lëshoi nga dora. Kur një president shkruan se nuk e di për kë punojnë njerëzit e fushatës së vet, në Shtëpinë e Bardhë e kanë kuptuar se kjo zhurmë nuk është propagandë e së majtës. Zëri më i ashpër erdhi nga Bannon, njeri i shtëpisë.

Dhe ti, Doktor, na e shite këtë njeri për të dërguar të Trump-it. Trump-i thotë se nuk ia njeh klientët. Na paske shitur sapun për djathë.

Më 5 tetor, në Beograd, Aleksandar Vulin, ish-shef i shërbimit sekret serb dhe senator i emëruar nga Dodiku, kërkoi përkrahje për t’u bërë president i Serbisë, në një tubim me emrin “Bota serbe”. Tubimi nisi me një minutë heshtje për Ratko Mlladiqin. Vulin u premtoi të mbledhurve “mësymjen e madhe” për atë botë. Serbia armatoset me një shpejtësi për të cilën Zagrebi bërtet. Beogradi e quan kërcënim aleancën e Shqipërisë me Kosovën dhe Kroacinë. Aksi Banja Llukë, Beograd, Moskë po bëhet gati për luftë.

Bota Serbe ka pasur edhe hartë. Më 29 nëntor 1912, një ditë pasi shqiptarët shpallën pavarësinë, Mbretëria e Serbisë krijoi Qarkun e Durrësit dhe futi brenda tij Durrësin, Lezhën, Tiranën dhe Elbasanin. E mbajti derisa anijet e Fuqive të Mëdha kthyen topat nga porti. Aleksandar Obradoviq e ka shkruar në Beograd, te Peščanik, se ç’la pas ai pushtet në Shqipëri: “vetëm frikë, plaçkitje dhe vdekje”. Sot, në Wikipedia-n serbisht, ushtria e 1912-s e ka “çliruar” Durrësin, dhe në zonën e Elbasanit jetojnë serbë “autoktonë”. Kur një ish-shef shërbimi sekret premton mësymje të madhe për Botën Serbe, unë dua ta di ku mbaron kjo botë. Te Drini? Te Shkumbini? Apo te porti i Durrësit, që Serbia e donte aq shumë më 1912?

Përballë kësaj harte Shqipëria po mundohet të ngrejë sërish një industri ushtarake, që së paku fishekun ta bëjë vetë. Ukraina na e tregoi të gjithëve se municioni mbaron më shpejt se fjalimet. Më 7 shtator SYRI TV nxori përgjimet që ia dha Arben Ahmetaj, një ish-zëvendëskryeministër i arratisur nga drejtësia shqiptare. I nxori copa-copa, javë pas jave. Ti i more nga ekrani, i bëre flamur, dhe tani do t’i çosh në tridhjetë e një ministri mbrojtjeje. Çfarë do të bësh me Shqipërinë, Doktor: do ta ndihmosh të bëjë fishekë, apo do t’u shkruash të huajve se fabrikat e saj janë mafie?

Kush ka vjedhur te KAYO, në burg. SPAK-u është brenda, dhe le ta çojë punën deri në fund. Armët, sekretet dhe aleatët kërkojnë disiplinë e kujdes shteti, dhe kush e rrënon industrinë e mbrojtjes për të rrëzuar një qeveri, u jep llogari shqiptarëve.

Në tregun ku bleve LaCivita-n, ti je klient i vogël. Banja Lluka u ka paguar njëmbëdhjetë firmave në Uashington të paktën 8.9 milionë dollarë, sipas OCCRP-së. Beogradi ka dhënë 3.2 milionë të tjera, sipas BIRN-it, dhe njëra nga firmat i ka klientë të dy. Në Ballkan askush nuk u paguan këtyre njerëzve më shumë se pala serbe.

Njerëzit që të bënë fushatën punojnë për Dodikun, firma që nënshkroi me partinë tënde lobon për Banja Llukën, dhe ditën që kjo doli në New York Times ti u premtove aleatëve një letër kundër industrisë shqiptare të armëve. Kam të drejtë të dyshoj. Të verbuar nga lakmia për pushtet, ti dhe rrjeti yt nuk shihni më asnjë vijë të kuqe, madje as interesin kombëtar. Dyshoj se, me SYRI TV-në që nxjerr përgjimet e Ahmetajt, keni rënë në rrjetën e të njëjtëve mercenarë që punojnë për Banja Llukën, ku pala serbe paguan më shumë se kushdo. Dua të besoj se po ju përdorin pa e kuptuar. E kundërta do të ishte shumë më e rëndë. Kush paguan më shumë, e merr edhe frytin e fundit: një ushtri shqiptare të paralizuar, për Beogradin dhe për Moskën.

Ti do t’ua hapësh aleatëve dosjet e industrisë ushtarake shqiptare. Hapu më parë shqiptarëve dosjet e konsulentëve të tu. Boto kontratën me LaCivita-n. Thuaj sa ke paguar, kush pagoi, nëse paguan ende dhe nëse e dije se ku tjetër punojnë. Pastaj na fol për mafien.

Hallet e shtëpisë i ndajmë vetë, me prokurorinë tonë dhe me Kushtetutën tonë. Vetëvendosje, Doktor. Jo nënshtrim para të huajve.

Next Post
Bombat ajrore ruse godasin dy autobusë në Ukrainë, 30 të vrarë dhe 18 të plagosur -

Bombat ajrore ruse godasin dy autobusë në Ukrainë, 30 të vrarë dhe 18 të plagosur -

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kuvendi në seancë maratonë, Policia nuk e heq perimetrin e sigurisë dhe kordonin përpara rikthimit të protestuesve

Kuvendi në seancë maratonë, Policia nuk e heq perimetrin e sigurisë dhe kordonin përpara rikthimit të protestuesve

October 8, 2026
“Në pushtet nuk vihet me broçkulla”, Spaho përgënjeshtron Berishën pas deklaratave se ndaj protestuesve u përdorën lëndë kimike

Po ‘arkivohen’ dosjet me 34 viktima të Berishës, vrasje për së dyti!

October 8, 2026
“Epsteini” ynë

Protesta që ha të mëdhenjtë e nuk rrit të vegjlit

October 8, 2026
Zelenskyy pas takimit me Trump: Në fokus mbrojtja ajrore, e rëndësishme që procesi diplomatik të rigjallërohet - Euronews Albania

Zelensky kërkesë SHBA-së: Na lejoni të përdorim Starlink dhe do të shihni që Putini do të ulet tryezën e negociatave

October 8, 2026
Inteligjenca ukrainase ngre alarmin: Rusia po dërgon ushtarë me HIV në fushëbetejë!

Inteligjenca ukrainase ngre alarmin: Rusia po dërgon ushtarë me HIV në fushëbetejë!

October 8, 2026
Aksident në Lushnjë, automjeti kthehet përmbys në mes të rrugës! Shoferi përfundon në spital, dyshohet se ishte me shpejtësi të lartë

Aksident në Lushnjë, automjeti kthehet përmbys në mes të rrugës! Shoferi përfundon në spital, dyshohet se ishte me shpejtësi të lartë

October 8, 2026
Sekuestro preventive llogarisë bankare të 30-vjeçarit të arrestuar në Greqi

Ushtronin “Exchange” pa licencë të BSH-së, jepet masa e sigurisë për 14 persona në Fier, 11 kambistë në arrest shtëpie!

October 8, 2026
Aksident në aksin Kardhiq-Delvinë, kamioni përmbyset në rrugë, Policia drejt vendngjarjes!

Aksident në aksin Kardhiq-Delvinë, kamioni përmbyset në rrugë, Policia drejt vendngjarjes!

October 8, 2026
Kina zbulon koronavirusin e ri te lakuriqët e natës, transmetohet te njerëzit

Misteri për Murtajën, Rusia nuk pranon rastin e dytë: Është “fake news”! OBSH: Çfarë po na fshihni?

October 8, 2026
Dy konfederata i hapin “luftë” FIFA-s, UEFA dhe CONCACAF po planifikojnë një Ligë të Kombeve të përbashkët!

Ceferin ndryshon mendje: Do kandidoj për mandatin e 4-t në krye të UEFA! S’ka rivalitet me Infantinon për FIFA-n

October 8, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com