Nga Mero Baze
Sot ishte njoftuar protestë kombëtare. Partia Demokratike vendosi më në fund të tregojë muskujt ndaj flamingove që thërrasin: “Rama në burg, Berisha në burg”. Duket se pati edhe negociata që ata sot të mos e thoshin parullën për Berishën. Por përfundimi ishte i dhimbshëm për të dyja palët. Bashkë ishin më pak se secili më vete.
Arsyeja nuk është as te pafuqia e PD-së për të mbledhur ca më shumë njerëz, as te dështimi i flamingove për t’u bërë njerëz popullorë.
Dështimi vjen nga fakti se PD-ja e kupton që nuk është protestë kundër qeverisë, por kundër flamingove, dhe për ta nuk ia vlen të dalësh nga shtëpia. Kështu që nuk kanë asnjë motiv të shkojnë të rrihen për flokësh me një a dy të luajtura nga mendtë dhe disa tipa agresivë që mendojnë se imitojnë Kajo Karafilin në vakt të vet.
Pra, PD-ja e ka ndier në ajër që nuk është thirrur as të rrëzojë qeverinë, as reformën territoriale, as të protestojë për videot erotike, por për t’u treguar vendin flamingove. Dhe u është dukur mundim i tepërt.
Nga ana e tyre, flamingot, përveç dhjetë vetave që e kanë punë, nuk kanë dalë, se mendojnë se mund të hanë ndonjë dru kot nga Sali Lusha.
Kështu, lajmërimi për protestë të madhe kombëtare e zvogëloi PD-në dhe e bëri sa flamingot, ndërkohë që flamingove nuk u dha shans të dukeshin të mëdhenj.
E gjitha vjen nga fakti se kjo lloj proteste, përveçse është bërë e bezdisshme për qytetin, është kthyer në një biznes që nuk ka lidhje as me politikën dhe as me protestën qytetare. E vetmja gjë që ka mbetur nga protesta është fushata linçuese, ku Arlind Qorri dhe Gon Shehu japin emra politikanësh apo njerëzish publikë që duhen sulmuar dhe dy-tri tipa që ngjajnë të ikur nga Pavijoni 5 turren rrugëve, derisa të bien në ndonjë hundëlesh e të kuptojnë çfarë do të thotë të cenosh lirinë e të tjerëve.
Pra, e gjithë ajo që ka ndodhur është se flamingot arritën ta bëjnë PD-në sa çeta e tyre, duke e frikësuar se po i zënë vendin, ndërsa PD-ja arriti t’i bëjë ata të heqin dorë nga sulmet ndaj Berishës për një ditë. Dhe këtë për të zezë të vet, sa për t’i turpëruar, se edhe kur nuk ua shajnë udhëheqësin, prapë nuk u bën punë.











E keqja e PD-së është se pështyma që hodhi përpjetë, po i rikthehet në kokë të sajë.
Këtë nuk e kuptojnë nokarët, voksharët, ballilarët dhe gjithë llarët e pirdharët e tjerë.