Radio Evropa e Lirë ka udhëtuar nëpër Kosovë, nga fshatrat e Drenicës dhe zonat e tjera të prekura nga lufta, deri në qytete ku një brez i lindur pas luftës e sheh atë periudhë nga larg, për të sjellë qëndrimet e qytetarëve përpara vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh gjykim, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin për katër nga figurat më të njohura të luftës së Kosovës. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.
Rreth 2 mijë kilometra larg Hagës, në Burojë të Skënderajt, vendlindjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, procesi gjyqësor është bërë pjesë e bisedave të përditshme. Thaçi, së bashku me Veselin, Selimin dhe Krasniqin, ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Në këtë zonë, pritshmëritë për vendimin janë kryesisht në favor të pafajësisë së të akuzuarve. Banorë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së shprehen se shpresojnë që ata të lirohen, ndërsa një dënim i mundshëm shihet prej tyre si një padrejtësi.
Për shumë prej tyre, qëndrimi ndaj procesit lidhet drejtpërdrejt me kujtimet e luftës dhe me njohjen personale të disa prej ish-krerëve të UÇK-së. Procesi gjyqësor në Hagë është ndjekur me interes gjatë këtyre viteve, ndërsa 16 shtatori shihet nga disa si një ditë që mund të shënojë një moment lehtësimi dhe, në rast pafajësie, edhe feste.
Edhe në Likoc të Drenasit, në zemër të Drenicës, lufta dhe UÇK-ja mbeten pjesë e kujtesës së banorëve. Ish-pjesëtarë të UÇK-së thonë se e kanë ndjekur vazhdimisht procesin në Hagë dhe i konsiderojnë të pabaza akuzat ndaj katër ish-krerëve.
Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe pjesëtarë të mërgatës kosovare, të cilët prej vitesh jetojnë në vende të ndryshme të Evropës. Disa prej tyre kanë paralajmëruar se do ta presin vendimin në Hagë dhe shpresojnë që ai të përfundojë me lirimin e të akuzuarve.
Megjithatë, pritshmëritë nuk janë të njëjta në të gjithë Kosovën.
Në Llapashticë të Podujevës, një prej lokacioneve të përmendura në aktakuzën e Prokurorisë së Specializuar, kujtimet e luftës janë të lidhura edhe me praninë e UÇK-së në atë zonë.
Sipas aktakuzës, nga nëntori i vitit 1998 deri në mars të vitit 1999, të paktën 52 persona u mbajtën në një objekt pranë Shtabit të Zonës Operative të Llapit, pa proces të rregullt ligjor. Banorë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së e kundërshtojnë këtë version dhe mohojnë se në atë zonë janë kryer keqtrajtime.
Një pjesë e banorëve të Kosovës e shohin Gjykatën Speciale me mosbesim. Të dhënat e Grupit për Studime Juridike dhe Politike tregojnë se qytetarët e Kosovës i kanë dhënë gjykatës një mesatare prej 2.56 pikësh nga 5, kur janë pyetur se sa i besojnë asaj për të dhënë drejtësi në mënyrë të drejtë dhe të pavarur.
Që nga arrestimi dhe transferimi i katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në nëntor të vitit 2020, në Kosovë dhe jashtë saj janë organizuar protesta në mbështetje të tyre.
Por, ndërsa në pjesë të Kosovës mbizotëron bindja se të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm, një pjesë e komunitetit serb e sheh procesin nga një këndvështrim krejt tjetër.
Shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë nuk kanë pranuar të komentojnë publikisht për procesin, duke shprehur shqetësimin se deklaratat e tyre mund të nxisin tensione dhe reagime. Për disa prej tyre, pritshmëritë lidhen më shumë me zbardhjen e fatit të viktimave dhe personave të pagjetur sesa me rezultatin e drejtpërdrejtë të këtij gjykimi.
Një prej tyre është një grua që prej 27 vjetësh kërkon të mësojë se çfarë ka ndodhur me babanë e saj, i cili është në mesin e rreth 1.600 personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Familja e saj, sipas rrëfimit të saj, e kishte raportuar rastin te KFOR-i, UNMIK-u, Kryqi i Kuq dhe institucione të tjera ndërkombëtare që vepronin në Kosovë. Ajo kishte shpresuar se Gjykata Speciale dhe Prokuroria e Specializuar do të ndihmonin në zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Megjithatë, rasti i babait të saj nuk përfshihet në periudhën kohore të aktakuzës aktuale. Sipas saj, ai u zhduk më 28 shtator 1999, ndërsa aktakuza mbulon krimet e pretenduara nga marsi i vitit 1998 deri në fillim të shtatorit të vitit 1999.
Për këtë arsye, ajo nuk pret që vendimi i 16 shtatorit të ndryshojë shumë për të personalisht. Ajo thotë se ka humbur shpresën se ky proces do të ndihmojë në zbardhjen e fatit të babait të saj dhe beson se gjykimi është zhvilluar më shumë rreth përplasjeve politike sesa rreth viktimave.
Një tjetër perspektivë vjen nga brezi i ri, i lindur pas luftës. Për të rinjtë që nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejt luftën e viteve 1998-1999, procesi në Hagë duket më i largët.
Disa prej tyre thonë se nuk e kanë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme gjykimin, ndërsa të tjerë shprehen se besojnë në pafajësinë e të akuzuarve, por pranojnë se do të donin të ishin më të informuar për procesin dhe për historinë e luftës së fundit në Kosovë.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përfshin gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.
Sipas Prokurorisë së Specializuar, krimet e pretenduara, përfshirë vrasje, torturë, ndjekje, burgosje dhe zhdukje të detyruar, janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Rasti ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit nuk është i vetmi që është trajtuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjykata ka dhënë më herët aktgjykime në rastet ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, ndërsa në Hagë po zhvillohen edhe procedura të tjera.
Megjithatë, gjykimi i katër ish-krerëve të UÇK-së mbetet procesi kryesor dhe ai që ka tërhequr më shumë vëmendje, veçanërisht për shkak të profilit të lartë të të akuzuarve.
Hashim Thaçi ishte një nga drejtuesit politikë të UÇK-së dhe më pas kryeministër e president i Kosovës. Kadri Veseli ishte drejtues i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së dhe më pas kryetar i Kuvendit. Rexhep Selimi ishte një nga komandantët e UÇK-së dhe më pas deputet i Kuvendit të Kosovës, ndërsa Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së dhe më pas ushtrues detyre i presidentit dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kështu, 16 shtatori nuk pritet të jetë thjesht një datë tjetër në kalendarin gjyqësor. Për një pjesë të shoqërisë në Kosovë, ai lidhet me kujtimet e luftës, me figurat që e udhëhoqën atë dhe me pritjen për drejtësi. Për një pjesë tjetër, ai është një moment për të kërkuar përgjigje për krimet dhe personat e pagjetur.
Vendimi i Hagës pritet të sjellë reagime të forta në Kosovë dhe jashtë saj, ndërsa mënyra se si do të pritet ai do të varet në masë të madhe nga këndvështrimi me të cilin secili e sheh luftën, UÇK-në dhe procesin gjyqësor që ka zgjatur prej vitesh.











