Erion Veliaj u zgjodh me rreth 44 mijë vota më shumë se rivali i tij kryesor, Halim Kosova, kryetar i ri i Bashkisë së Tiranës, e cila me reformën administrativo-territoriale, është më e larmishme jo vetëm si hapësirë, por edhe si problematikë.
Por cilat do të jenë punët e para që do të synojë të realizojë Erion Veliaj në bashki? Si do të jetë organizimi i Bashkisë së Tiranës nën menaxhimin e tij? A ka ai një plan për të përmirësuar problemin e parkimeve dhe për të rregulluar trafikun në Tiranë? Sa vëmendje do t’i kushtohet pastrimit të qytetit dhe transportit publik?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu përgjigj vetë i sapozgjedhuri si kryebashkiak i Tiranës, Erion Veliaj, këtë të enjte në Top Story me Sokol Ballën dhe analistët e ftuar në panel, Mustafa Nano, Arjan Vasjari dhe Skënder Minxhozi.
Veliaj e nisi fjalën e tij me përvojën e fituar nga fushata zgjedhore, një fushatë e gjatë dhe mjaft intensive.
“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme e gjithë fushata. Ka qenë edhe nga koalicionet më të suksesshme, duke pasur parasysh gjithë partitë e ASHE-së, dhe një sfidë për ndarjen e re territoriale. Ndaj këtu luheshin disa beteja. Ishte një mënyrë për të konfirmuar disa nga nismat që kemi, a jemi në drejtimin e duhur dhe a kemi një ofertë më të mirë se pesë kandidatët e tjerë për Bashkinë e Tiranës? Ky mund u shpërblye në fund”, tha ai.
Veliaj iu rikthye apelit që lëshoi menjëherë pasi matematika e shpalli fitues, kur bëri thirrje që me pushtetin dhe buxhetin e bashkisë të mos veprohet njësoj si në rastin e ndryshimit të qeverisë në vitin 2013.
“Qyteti nuk i ka punët mirë. Është pak a shumë në të njëjtën situatë siç trashëguam shtetin më 2013-n, me një faturë financiare që jam kurioz të shoh se sa do të jetë debia e Bashkisë së Tiranës”, u shpreh ai.
Gjatë fushatës, Veliaj thotë se i ka bërë përshtypje hendeku i madh mes Tiranës rurale dhe asaj urbane, madje edhe mes vetë Tiranës informale dhe pjesës tjetër të qytetit.
“Ka një hendek shumë të madh mes Tiranës qytet dhe Tiranës fshat. Kemi një nivel ndryshe të theksuar shërbimesh në nivel lokal dhe qendror. Duhet të gjejmë një mënyrë për të zhdukur këtë hendek, mes pjesës rurale dhe asaj urbane në shërbime. Kemi një hendek brenda Tiranës urbane, mes Tiranës që po legalizohet ka një hendek të jashtëzakonshëm me Tiranën e vjetër. Tirana informale ka probleme të mëdha me kanalizimet, me rrugët, ujin e pijshëm. Roli i bashkisë për të çuar në një marzh më të shpejtë legalizimin dhe më pas rehabilitimin është jetik. Kemi një ide shumë të mirë të Tiranës që do administrojmë. Rekrutuam në mënyrë vullnetare 80 të rinj që arritën të identifikonin problemet e vogla dhe kemi sot një inventar me 4500 problematika të vogla. Sot kemi një bazë të dhënash që duhet ta kishte Bashkia e Tiranës”, tha ai.
Sa i takon fushatës, Veliaj, tha se zgjodhi që të mos premtonte gjëra të mëdha, për të mos ofenduar elektoratin. Ai shtoi se fakti që koalicioni do të ketë shumicën e nevojshme në këshillin e ri bashkiak për të marrë disa vendime të rëndësishme, që në të shkuarën janë penguar prej këtij këshilli, është mjaft pozitiv.
Më tej, ai u ndal tek tri emergjencat e qytetit.
“Tirana është qyteti më i ndotur në Shqipëri dhe rajon. Me gjasa do të kemi edhe një mobilizim të ushtrisë për këtë. Jemi në emergjencë civile sa i takon pastrimit. E dyta është transporti publik, i cili duhet adresuar menjëherë. Jemi në periudhën kur kanë përfunduar kontratat, ndërkohë që bashkia i rilidh duke vazhduar me ndarjen e vjetër. Sfida e tretë, na duhet që në një kohë rekord, të integrojmë në një administratë të përbashkët, ndërmarrje të përbashkët shumë shërbime që deri dje ofroheshin në mënyrë të fragmentarizuar”, deklaroi Veliaj.
Fituesi i bashkisë më të madhe në vend u zotua të ndërmarrë një audit transparent për buxhetin e bashkisë dhe paralajmëroi se me gjasa do të gjejë bashkinë e kryeqytetit njësoj siç u gjet arka e shtetit në vitin 2013, kur e majta erdhi në pushtet.
“Do të kemi borxhe të padeklaruara, kontrata që janë lidhur me 10 përqind të shumës, ku 90 përqind duhet ta paguajë bashkia në të ardhmen, që besoj se do të kemi shumë. Një audit i mirëfilltë do ta tregojë këtë. Auditi do të bëjë një transparencë për buxhetin. Do të bëjmë një audit për të parë se ku janë shkeljet dhe ku është gabuar”, deklaroi Veliaj.
Ai shtoi se muajt e verës do të përdoren për të ngritur administratën. Tha se do të ketë 3 ose 4 nënkryetarë bashkie dhe 24 administratorë që do të caktohen për 24 njësitë e reja të Tiranës, duke lënë të kuptohet se do të ketë një ndarje postesh në bazë të koalicionit.
“Kemi fituar si koalicion dhe do të qeverisim si koalicion, të paktën në pozicionet politike”, tha ai.
Veliaj u ndal më pas tek financat dhe burimet kryesore të të ardhurave për bashkinë e drejtuar prej tij.
“Duhet të realizojmë planin për mbledhjen e financave, por dhe të gjejmë burime alternative. E para janë kreditë ku duhet edhe sovraniteti i qeverisë. Kemi këtu për ujëjsjellës-kanalizimet 100 milion euro përmes një kredie të butë nga qeveria japoneze. Por një tjetër mënyrë janë edhe bonot e thesarit, apo bono qyteti dhe e treta, të forcojmë partneritetin publik dhe privat. Bashkia ka disa asete, ka prona që mund t’i vendosë në përdorim për biznesin, ku bashkia mund të jetë aksionere si koncesionare apo partnere me një privat”, sqaroi ai.
Duke kaluar tek një temë e nxehtë, ajo e lejeve të ndërtimit, Veliaj premtoi se do të bëhet një audit për të verifikuar të gjitha lejet me probleme të dhëna në këto kohë, ndërsa tha se do të bllokohet ndërtimi në Digën e Liqenit dhe ai i nisur para pak ditësh me shembjen e një shtëpie që ishte pjesë e inventarit të monumenteve të kulturës.
“Do të ketë një kontroll të lejeve të kontestuara. Nuk kishte asgjë të paqartë në polemikën me Ministrinë e Kulturës. Instituti ishte pyetur para disa muajsh dhe në atë moment nuk ishte Monument Kulture, por u bë kur u ribë harta. Ata kishin përdorur një shkresë të vjetër të parinovuar. U shfrytëzua një letër e vjetër për të siguruar një leje. Këto leje nuk do të vazhdojnë më. Auditi që do të bëjmë do të tregojë që kemi anomali në të gjitha këto leje. Do hetohen të gjitha lejet dhe për herë të parë bashkia do jetë palë me qeverinë për të bllokuar këto leje. Nuk lidhet reputacioni i bashkisë me një bashki që vetëm jep leje ndërtimi. Gropat janë hapur, por ashtu siç hapen edhe mbyllen, s’ është problem. Sot leja Digës është pezulluar, jo vetëm punimet, ndërsa tek pjesa tjetër duket që leja është dhënë mbi një dokument të rremë”, u shpreh ai.
Veliaj tha se janë identifkuar 182 hapësira potenciale për parkingje, ndërsa shpalosi edhe idenë për t’u ofruar ndërtuesve hapësira private ose publike për të ndërtuar parkingje nëntokësore dhe u zotua të lirojë të gjitha hapësirat publike të zëna abuzivisht sot.
Veliaj u ndal edhe tek projekti i unazës së vogël dhe i Sheshit Skënderbej.
“Do zgjidhim njëherë problemin e unazës së vogël, pastaj do punojmë me sheshin qendror. Sheshi kryesor i Tiranës nuk mund të rri ajo govata që kemi në qendër. Kemi planifikuar disa nënkalime dhe kemi një grup inxhinierës që ka bërë propozime për një numër të caktuar vendesh, por duhet të marrim një vendim”, u shpreh ai.
Dy ndërtesat, Dajti dhe Piramida në Tiranë bartin në vetvete një rëndësi historike. Cili është plani i Veliajt për këto dy ndërtesa?
“Piramida dhe Hotel Dajti do të jenë pjesë e një projekti që do të quhet Parku i Besimit. Do të kemi një konkurs ndërkombëtar për këtë, ku ideja e kryeministrit ka qenë që Shqipëria duhet të përfitojë nga turizmi fetar, si një vend që ka një harmoni fetare që u reklamua më shumë nga vizita e Papës. Piramida do të transformohet tërësisht, kemi arritur në një ide që është moderne për Piramidën”, tha ai.
Duke iu rikthyer çështjes së ndërtimeve, Erion Veliaj deklaroi se ndërtimi do të zhvendoset në projekte më pak agresive ndaj mjedisit, si unazat, kampusi universitar, parkingjet, terminalet dhe objekte të tjera publike që do të mbajnë gjallë këtë industri. “Jo për apartamente, ku kemi 8 mijë apartamente pa shitur”, tha ai.
Një tjetër temë e ndjeshmë janë strehimi. Banesat sociale janë sot gati, por askush nuk është strehuar atje. Veliaj tha se së pari do të shpërndahen këto banesat dhe së dyti fondi qeveritar për strehimin nuk do të përdoret për të ndërtuar godina.
“Fondi të mos përdoret për të ndërtuar, por me një ankand për ofertën më të ulët se sa apartamente mund të blejmë, për të ecur përpara për çështjen e strehimit”, deklaroi ai.
Në fund, Veliaj foli për turizmin, duke sjellë si shembull “Bunk’Art”, që do të jetë një udhërrëfyes për vënien në shfrytëzim të shumë aseteve të tjera të bashkisë së re, njëra prej të cilave është Shpella e Pëllumbasit.