Analisti Mentor Kikia ka deklaruar në emisionin “3D” të RTSH1 se ngjarja e fundit nuk mund të trajtohet si një episod i shkëputur apo si një çështje rozë, por si dëshmi e vënies së mekanizmave shtetërorë në shërbim të eksponentëve të krimit.
Sipas Kikias, përpjekjet për ta spostuar vëmendjen te detajet periferike dëmtojnë problematikën reale.
“Ky nuk është një skandal seksual. Ky është një skandal shtetëror që tregon se si institucionet janë vënë në shërbim të krimit,” deklaron ai, duke nënvizuar se përplasja me ligjin e zyrtarëve të lartë zbulon degradimin e disa strukturave paralele.
“Edhe këto të dyja që janë mjaftueshëm ulëritëse për të kuptuar jo thjesht rrënimin e një institucioni, por rrënimin e një zinxhiri institucionesh të rëndësishme shtetërore. Duhet të kuptojmë një gjë për të qenë serioz në analizimin e situatës. Nuk është një rast i shkëputur një zyrtare e shërbimit për shkak të një historie me një individ për t’i shuar kuriozitetin.
Nëse do ishte vetëm kaq, ne do prapë do bërtisnim sepse është skandaloze, por kjo gjë është tërësisht periferike. Si erdhi deri këtu? U zbulua skandali i AKSH-it i cili zyrtarisht është konsideruar nga SPAK me akuzë zyrtare organizatë kriminale dhe ku Ergys Agasi është njëri prej njerëzve në krye të kësaj organizate bashkë me drejtoreshën, bashkë me ca të tjerë. E gjithë historia përmblidhet tek shantazhi, korrupsioni, tenderat, marrja e parave, mbetet te leku, te korrupsioni”, thekson Kikia.
Sipas analizës së Kikias, rrethanat e zbuluara gjatë kontrolleve dhe sekuestrimeve dokumentuan një rrjet të gjerë influencesh, ku drejtues institucionesh dhe funksionarë të lartë frekuentonin zyrtarisht apo privatisht ambientet e punës së personave tashmë nën akuzë.
“Ergys Agasi nuk u arrestua dot pasi ndaj të tjerëve u vendos masa e sigurisë. Nuk e dimë nëse ishte pamundësi për të arrestuar apo ishte strategji për ta lënë të livadhiste për të kuptuar se ku do kullosi gjatë kësaj kohe. Por deri në atë kohë ishte mbledhur informacion.
Të mos harrojmë që kur u arrestua, kur u nxori masa për Ergys Agasin dhe u bë kontrolli i zyrës, historia e famshme e verës, dolën ca fotografi që tregonin se si x drejtor e x ministër e x zyrtar shkonin tek zyra e Agasit dhe habia publike ishte çfarë institucioni drejton ky zotëria që këta drejtuesit e institucioneve të shtetit, të atij shtetit që ne e njohim publikisht shkojnë te zyra e këtij dhe arrestimi de facto i Agasit kur u mor telefoni, kur u sekuestrua makina zbuluan histori të tjera”, deklaroi Kikia.
Analisti rendit disa nga pikat më kritike të këtij skandali, të cilat prekin drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.
“Pra, kemi të bëjmë me një problem shumë më të madh se një individ. Mos harrojmë që u arrestua në kohë kur makinë kishte ish-numrin dy të policisë së shtetit si shofer dhe si trupëroje, ndërkohë që ishte në kërkim dhe ish-drejtori i përgjithshëm i policisë është pushuar nga puna, është shkarkuar nga detyra. Teorikisht pse s’menaxhoi mirë protestat por praktikisht për këtë çështje. Ishte njeri që ishte në shërbim të këtij.
Tani pyetja është çfarë informacionesh transferojnë shefja e shërbimit sekret, policia e shtetit, çfarë shërbimi ofron laboratori shkencor që administron provat e krimit dhe rëndësia e laboratorit është e jashtëzakonshme në zinxhirin hetimor? A analizon ADN-në që mund të lërë njeriu te kjo tapa e shishes për të kuptuar ka qenë apo jo në vendngjarje? Analizon ADN n një fije floku që gjendet te makina ku Është vrarë njëri për të treguar është autori apo s’është autori apo të një pike gjaku te rrobat dhe një po apo jo e ekspertit ngre apo rrëzon akuzat”, theksoi më tej Kikia.











