Falë angazhimit të shërbimit zjarrfikës, punonjësve të pushtetit vendor, Agjencisë së Parqeve, forcave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme, si dhe kontributit të banorëve dhe vullnetarëve, sot u bë i mundur izolimi i zjarrit masiv që përfshiu pasditen e djeshme pyjet e kodrat e Ibës, në afërsi të Tiranës. Forcat që morën pjesë në operacion luftuan me flakët gjatë gjithë pasdites së djeshme dhe gjatë natës së sotme, duke vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa janë ende në terren për të mbajtur situatën nën vëzhgim deri sa të largohet çdo rrezik tjetër.
Aksionin në terren e ndoqi sot edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjatë paradites u njoh me situatën dhe gjendjen e vatrave të zjarrit, falenderoi të gjithë ata që rrezikuan jetën e tyre për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit në kushte të vështira. “Dua t’i falenderoj të gjithë me zemër, zjarrfikësit, Policinë Bashkiake, Agjencinë e Parqeve, Policinë e Shtetit, FNSH-në, Prefektin, emergjencat e bashkisë, administratorët dhe gjithë kolegët që u përfshinë në këtë përpjekje titanike. Kësaj here dolëm faqebardhë, por le të përgatitemi sepse vera s’ka mbaruar akoma, thatësira do të vazhdojë, problemet me ujin do të vazhdojnë, teksa ende presim të bjerë shi pas 150 ditësh thatësirë. Megjithatë, si çdo herë, kur Tirana bëhet bashkë, kur të gjithë bashkëpunojmë, ia dalim me sukses. Bravo dhe faleminderit të gjithëve”, tha ai.
Veliaj theksoi se falë përpjekjeve dhe bashkëpunimit të të gjitha forcave, u arrit që gjatë orëve të para të ditës së sotme zjarri të vihej në kontroll të plotë, ndërsa është bërë e mundur shmangia e rrezikut më të madh. “Jam shumë krenar sot për të gjithë kolegët që përballuan një situatë emergjence të paprecedentë. Më vjen mirë që kemi pasur 65 zjarrfikës në terren, të cilët e kanë gdhirë gjatë gjithë natës, për t’u siguruar që sot Tirana të zgjohet më e sigurt dhe e gjithë kjo zonë, e Krrabës, Petrelës, Ibës, Bërzhitës, të shpëtojë nga ndoshta një tragjedi nëse zjarri do të kishte avancuar në zonat e banuara”, theksoi kryebashkiaku.
Tashmë që rreziku në këtë zonë ka kaluar, Veliaj kërkoi nga Policia e Shtetit që të hetojë çdo rast zjarrvënie të qëllimtë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore shkelësit. Ai bëri të ditur se do të kërkojë forcimin e ndëshkimeve për çdo rast zjarrvënie të qëllimtë.
Drejtori i Zjarrfikëseve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj bëri të ditur se sapo është marrë informacioni për rënien e zjarrit në zonën e Ibës, janë nisur menjëherë automjetet për izolimin dhe shuarjen e tij. Goxhaj theksoi se falë edhe bashkëpunimit me strukturat e tjera, nuk ka pasur viktima apo të lënduar, por vetëm dëme në kullotë. “Në operacion morën pjesë rreth 70% e efektivit të shërbimit zjarrfikës të Tiranës. Me ndihmën e këtyre strukturave dhe të helikopterit, ditën e sotme është bërë izolimi i zjarrit masiv. Do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu edhe ditën e sotme që të sigurohemi që nuk do të kemi dëme”, tha Goxhaj.