Tirana po kthehet gjithnjë e më shumë në një qendër rajonale. Në takimin e dytë Unionit të Bashkive Shqiptare, i cili u mbajt sot në Prishtinë, delegacionet nga Tirana, Presheva, Ulqini, Tetova, Gostivari, Prizreni dhe Fieri vendosën ngritjen e Sekretariatit teknik dhe vendosjen e selisë qendrore në kryeqytetin tonë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguroi se Unioni i Bashkive Shqiptare do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të ecur më tej në projekte konkrete të përbashkëta. “Jam shumë i lumtur që Tirana do të jetë selia e Sekretariatit të Unionit. Kemi vendosur ta fuqizojmë këtë Sekretariat edhe me financa, duke caktuar në Tiranë një drejtues ekzekutiv dhe përfaqësues të të gjitha njësive tona. Sot në kryeqytetin shqiptar kemi Rrjetin e Koordinimit të Shkëmbimeve Rinore për gjithë Ballkanin, Fondi i Ballkanit Perëndimor gjithashtu e ka selinë në Tiranë, ndaj më vjen mirë që edhe selia e Unionit të Bashkive dhe Komunave shqipfolëse do të jetë gjithashtu aty. Jemi shumë të lumtur ta mikpresim dhe të ofrojmë bujarinë tonë”, tha Veliaj.
Ai theksoi se Unioni, ku marrin pjesë bashki dhe komuna shqiptare të rajonit, është një urë bashkëpunimi mes tyre, për të shkëmbyer eksperienca konkrete mes qyteteve. “Siç ka unione të frankofonisë, pra të kryetarëve të bashkive frankofone, në njëfarë mënyre ky është Unioni i kryetarëve të bashkive albanofonë, pra të njerëzve të shqipes. Në këtë sens, nuk ka kurrfarë drame mbi atë që po realizojmë dhe kurrfarë axhende sekrete. Sot kemi folur kryesisht për çështje të pastrimit, të gjelbërimit, të transportit publik, dhe besoj se do të vazhdojmë ta fuqizojmë këtë edhe si një platformë konkrete, realiste për çka mund të bëjnë komunat dhe bashkitë tona”, nënvizoi ai.
Teksa uroi Kosovën për 10-vjetorin e Pavarësisë, Veliaj u shpreh se shumë gjëra të rëndësishme janë arritur në këto vite, dhe se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që krijojnë ndasi. Për këtë qëllim, ai bëri thirrje për të punuar bashkërisht në mënyrë që kjo energji të orientohet në drejtimin e duhur. “Unë besoj se për çdo shqiptar që është i ndërgjegjshëm për historinë e kombit tonë, Pavarësia dhe Çlirimi i Kosovës është ndoshta data e dytë më e rëndësishme pas Pavarësisë së Shqipërisë. Sot secili prej nesh bën një inventar të atyre që kemi arritur. Kemi arritur shumë edhe në Prishtinë, edhe në Kosovë, dhe me gjithë problematikat që ka, ka kaq shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që na ndajnë. Nëse këtë energji që kemi e çojmë në drejtimin e duhur, duke punuar për këtë qytet dhe për këto vende, ku zoti apo historia na ka caktuar për të qenë administratorë, do të kemi kombin që kemi dashur gjithmonë”, tha Veliaj.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti deklaroi se Unioni është një mundësi shumë e mirë e shkëmbimit të përvojave dhe projekteve të suksesshme, dhe se tashmë është
koha e bashkëpunimit. “Kur u bë takimi i parë, pati zëra të ndryshëm: ‘Po bëhet bashkimi kombëtar’, ‘Komunat shqiptare po bëhen të gjitha bashkë’. E themi sërish: “Ne po bëjmë shkëmbim të përvojave të komunave shqipfolëse. Së pari, nuk kemi nevojë për përkthyes, e së dyti, është koha e bashkëpunimit. Është absurde të bashkëpunojmë me komuna të tjera para se të bashkëpunojmë edhe me njëri-tjetrin”, u shpreh Ahmeti.
Unioni i Bashkive Shqiptare ka për qëllim të krijojë klimën dhe mekanizmat e duhura të bashkëpunimit mes qyteteve shqiptare në rajon, ndërkohë që u krijon mundësi bashkive të rrisin shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në fushat e urbanistikës, inovacionit, mjedisit, kulturës dhe formave të reja të financimit.
Në bazë të marrëveshjes së firmosur takimin e parë të zhvilluar në Tiranë, bashkitë angazhohen për të bashkëpunuar për thithjen e fondeve dhe të projekteve rajonale dhe ndërkufitare, ndonjëherë dhe duke aplikuar bashkë, aty ku mund të aplikohet, si dhe mbështetja e njëri-tjetrit me masa, asete, ekspertizë, dhe personel në rast të emergjencave civile.
Mbledhja e radhës e këtij Unioni do të jetë në Tetovë në muajin tetor./a.m.