Një zyrtar i Komisionit Evropian, i përfshirë në diskutimet mbi kredinë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, i ka thënë Euronews-it se Kievi ka sugjeruar që paketa e radhës e financimit për mbrojtjen të mund të përdoret për blerjen e sistemeve të raketave antibalistike, krahas kapaciteteve të tjera, shkruan Euronews.
Zyrtari nuk mundi të specifikonte nëse bëhej fjalë për sistemin amerikan të raketave të mbrojtjes ajrore “Patriot” apo për ekuivalentin e tij evropian sistemin franko-italian të raketave tokë-ajër “SAMP/T NG” pasi diskutimet ishin ende në vazhdim dhe nuk ishte bërë asnjë porosi zyrtare.
Porosia pritet të bëhet para muajit shtator, ndërsa parashikohet të kërkohen gjithashtu raketa dhe dronë.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi një sulm vdekjeprurës rus në Ukrainë, të ndodhur gjatë natës së të mërkurës, i cili la të vdekur të paktën 16 persona dhe të plagosur 33 të tjerë. Ajo la të kuptohej se ishte rrugës një ndihmë në fushën e mbrojtjes kundër raketave balistike.
“Rusia po e humbet luftën që nisi. Dhe po kundërpërgjigjet duke vënë në shënjestër civilët dhe infrastrukturën civile,” tha ajo në një deklaratë të publikuar në platformën e rrjeteve sociale X.
“Ne po punojmë me shtetet anëtare dhe partnerët tanë për të mbështetur kapacitetet kundër-balistike të Ukrainës, në mënyrë që Ukraina të ketë mjetet për të parandaluar humbjen e jetëve.”
Burimi i sistemeve të mundshme të ardhshme të raketave antibalistike mund të shkaktojë pakënaqësi, pasi shumë shtete anëtare të BE-së, si Franca, argumentojnë se mbështetja financiare nga blloku duhet të përdoret për të blerë armë evropiane dhe për të mbështetur industrinë evropiane të mbrojtjes.
Ndërkohë, të tjerë besojnë se Ukrainës duhet t’i jepet fleksibilitet i plotë për të blerë gjithçka që i nevojitet për t’u mbrojtur menjëherë kundër pushtimit rus në shkallë të gjerë.
“Nevojat urgjente të Ukrainës duhet të jenë në plan të parë,” shkruan ministrat e mbrojtjes të Finlandës, Suedisë, Lituanisë, Danimarkës, Polonisë, Estonisë dhe Letonisë në një letër të botuar në korrik, duke argumentuar për një fleksibilitet më të madh lidhur me ndihmën financiare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përsëriti së fundmi thirrjet që Uashingtoni të ofrojë më shumë raketa përgjuese “Patriot”, në mënyrë që forcat e armatosura të Ukrainës të mund të zmbrapsin raketat ruse, ta kalojnë dimrin dhe të “shpëtojnë jetë njerëzish”.
Megjithatë, në korrik ai njoftoi gjithashtu se Ukraina do të bëhej përdoruesi i parë në kushte luftarake i sistemeve raketore franko-italiane SAMP/T NG.
Sipas një deklarate publike, Kievi synon t’i porosisë këto sisteme përmes kësteve të viteve 2026 dhe 2027 të kredisë mbështetëse për Ukrainën, të cilat duhet të dorëzohen “sa më shpejt të jetë e mundur” duke filluar nga viti i ardhshëm.
‘Prodhuar në Evropë’ Rreth 60 miliardë euro nga shuma totale prej 90 miliardë eurosh e kredisë do të vihen në dispozicion për të forcuar mbrojtjen e vendit gjatë kohës së luftës, ndërsa pjesa e mbetur do të shërbejë për të mbështetur buxhetin kombëtar të Ukrainës.
Ukrainës do t’i jepen gjithsej 28,3 miliardë euro në vitin 2026 për të mbështetur kapacitetet e saj industriale të mbrojtjes, ndërsa një pjesë e fondeve tashmë është disbursuar.
Kushti “Prodhuar në Evropë” brenda paketës së fondeve për mbrojtjen synon të sigurojë që sa më shumë financime të shkojnë te prodhuesit evropianë të pajisjeve ushtarake, në vend të atyre të huaj.
Përparësi u jepet prodhuesve në Ukrainë, si dhe atyre të industrisë së mbrojtjes në BE dhe EEA-EFTA, ndonëse lejohet edhe qasja e caktuar për vende të treta.
Brukseli mund të japë një përjashtim lidhur me rregullat e mbrojtjes nëse pala ukrainase dëshiron të blejë armatime që nuk prodhohen në Evropë, siç është sistemi i raketave të mbrojtjes ajrore “Patriot”. Përjashtime të tilla janë dhënë edhe më parë për blerjen e pajisjeve me dronë.











