Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e dytë në UEFA Nations League ndaj San Marinos, që do të luhet nesër në orën 20:45, në “San Marino Stadium”.
Paraditen e sotme, në “Shtëpinë e Futbollit”, ekipi kuqezi zhvilloi seancën e fundit stërvitore nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran, duke u fokusuar te përgatitjet fizike dhe aspektet taktike të ndeshjes.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi është në gjendje të mirë dhe pa probleme fizike. Ashtu si në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, i vetmi lojtar që nuk do të jetë në dispozicion është Klisman Cake, i cili vijon rikuperimin. Gjendja e tij po përmirësohet dhe, sipas parashikimeve, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Finlandës.
Ndërkohë, me ekipin Kombëtar nuk do të udhëtojë portieri Simon Simoni, i cili do t’i bashkohet Kombëtares U-21, që ka nisur grumbullimin në Tiranë në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës U-21.
Kombëtarja do të udhëtojë pasditen e sotme drejt San Marinos. Në orën 19:00, do të zhvillohet edhe konferenca zyrtare për shtyp e trajnerit Rolando Maran dhe një lojtari të Kombëtares. Konferenca do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të FSHF në YouTube dhe në FSHF TV.











