Hekurudha Shqiptare ka shpallur kompaninë fituese për projektimin e detajuar dhe ndërtimin e godinës së stacionit hekurudhor të Aeroportit të Rinasit.
Vendimi vjen pas përfundimit të shqyrtimit të një ankese nga Komisioni i Prokurimit Publik, që kishte pezulluar vijimin e procedures, duke i hapur rrugë nënshkrimit të kontratës.
Kompania fituese Hastoçi ka ofruar rreth 81 mln lekë pa TVSH, ndërsa fondi limit ishte 91.6 mln lekë. Në tender morën pjesë gjashtë operatorë ekonomikë, teksa një prej tyre kundërshtoi skualifikimin nga gara, çka solli pezullimin e procedurës. Gjithsesi, Komisioni i Prokurimit Publik vlerësoi se dokumentacioni nuk përmbushte kërkesat e tenderit dhe lejoi Hekurudhën Shqiptare të vijonte procedurën.
Stacioni i Rinasit është pjesë e projektit të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës –Aeroporti i Rinasit. Krahas godinës, projekti parashikon përmirësimin e aksesit në platformat e pasagjerëve, shtigje për këmbësorët dhe trotuare, si edhe organizimin e parkimit dhe të hapësirave për taksitë, autobusët dhe mjetet që lënë apo marrin pasagjerë.
Për linjën hekurudhore janë në zbatim dy kontrata, ajo për punimet civile e sistemet e sinjalizimit e telekomunikacionit, si dhe kontrata ndërtimin e godinave të tjera të stacioneve. Po ashtu, është duke u zhvilluar procedura tenderuese për elektrifikimin e linjës, duke qenë se sipas projektit kjo hekurudhë do të jetë elektrike.
Objektivi i deklaruar nga autoritetet është që linja Tiranë – Durrës – Rinas të nisë operimin në fund të vitit 2027, por pa përfshirë ndërtimin e 4 km që do të rikthejnë stacionin e trenit në kryeqytet.











