Mes pasigurisë që po rrethon armëpushimin e brishtë të SHBA-së me Iranin, zv/presidenti amerikan JD Vance shpreson që në bisedimet e paqes në Islamabad të arrijë përparim drejt mbylljes së një lufte e cila ka sjellë rritjen drastike të çmimeve globale të naftës gjatë muajit të fundit.
Analistët e tregut paralajmërojnë megjithatë se edhe ne rast se rezultati i këtyre negociatave do të jetë pozitiv, ato nuk do të arrijnë të prodhojnë dot një stabilizim të rrufeshëm të tregjeve. Në fakt, shumica e ekspertëve presin që çmimet të vazhdojnë të mbeten të larta për një farë kohe, duke shtuar kostot jo vetëm në pikat e karburantit por edhe në të gjithë ekonominë.
Problemi, siç shpjegojnë ata, ka nisur që me ndërprerjen e furnizimeve me naftë gjatë muajit të fundit. Edhe nëse bisedimet çojnë në një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe rihapjen e plotë të ngushticës së Hormuzit, mund të duhen muaj që furnizimet globale të naftës të kthehen në nivelet që kishin përpara luftës. Madje, edhe nëse furnizimet të kthehen në normalitet më shpejt se kaq, zakonisht ka gjithmonë vonesa me uljen e çmimeve.
Teksa rritja e kuotimit të naftës mund të shkaktojë brenda vetëm pak ditësh rritje të çmimit në pikat e karburantit, ulja e tyre zakonisht kërkon javë të tëra për t`u ndjerë, pohon për New York Times ekonomisti Pavel Molchanov.
Përpjekjet për transportimin e naftës përreth Ngushticës së Hormuzit gjithashtu kanë hasur gjithashtu pengesa të mëdha, teksa sulmet iraniane ndaj tubacionit kryesor të Arabisë Saudite, që transporton naftë nga bregu lindor i vendit në portet e Detit të Kuq, e kanë ulur kapacitetin e tij me 10%.











