Data 28 Mars 2017 mbush plot 20 vite një nga tragjeditë më të mëdha që ka njohur populli shqiptar, ku në Kanalin e Otrantos humbën jetën 81 persona duke u mbytur në det, pjesa më e madhe e tyre ishin familjarë, fëmijë dhe gra.
Pas 20 vitesh një nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie, Krenar Xhavara tregon për kamerën e tonë momentet tragjike.
Ai tregos se si anija Sibilla goditi anijen e vogël shqiptare me 115 qytetarë shqiptarë të pafajshëm, që kërkonin të largohershin nga lufta civile e vitit 1997.
Xhavara tashmë 48 vjeç, në atë kohë ishte 28 vjeç dhe ka qënë në anije së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e vogël 6 mujashe.
Ai thotë se janë nisur nga kalata e portit të Vlorës në orën tre mbasdite , dhe deti ka qënë i qetë, pasi kanë kaluar ishullin e Sazanit një anije luftarake, “Zefiro” i ka ndjekur deri në ujrat ndërkombëtare. Më pas anija “Zefiro” i ka shoqëruar deri në orën 6:30.
Më pas ajo është larguar, në horizont është shfaqur anija “Sibilla” e cila na ka ndjekur për një orë, dhe pa pritur na ka goditur duke e kthyer përmbys anijen tonë, Katri i Radës.
‘’Neve jemi nisur si sot, ishte një ditë e bukur në datën 28 mars në vitin 1997. U nisëm nga moli zero me anijen Katri i Radës rreth orës 3 të pasdites. Duke ecur në drejtim të Sazanit, u shfaq anija ‘’Zefiro’’, një anije e luftës italiane. Duke ecur drejt kanalit të Otrantos, na ndoqi anija Zefiro rreth një orë e gjysmë. Na komunikuam me radio’’klandestinë kthehuni mbrapa’’. Ne nuk ishim klandestinë pasi kishim vendosur edhe flamurin e bardhë, sepse ishim njerëz të paqes. Duke ecur filloi manovrat majtas djathas Zefiro, por jo të rrezikshme. Më pas në sfond dukej në sfond një anije tjetër’’Sibilla’’. Po afrohej nata, pas ndjekjes që na bëri Zefiro, më pas na afrohet anija Sebilla, duke krijuar edhe dallgë. Gjatë ditës prezantuam edhe fëmijët që t’i shikonte Sibilla, që ta kuptonim që në anije nuk kishte kriminelë, por njerëz paqësor. Ne u nisëm për në Itali sepse gjendja këtu ishte kaotike. Unë isha në pjesën e pasme të anijes, bashkë me 3-4 veta, ishte errësirë’’,-u shpreh Xhavara.
Gjithashtu Xhavara tregon se si kanë mbijetuar në det dhe se si anija e tyre Katri i Radës ka qëndruar për tetë minuta e përmbysur dhe më pas është fundosur së bashku me gjithë personat që kanë qenë brenda në kabinë.
Sipas tij ishte e pamundur që të shpëtonin familjarët pasi për tetë minuta nuk mund të bëje dot asgjë dhe anija e tyre ishte e përmbysur.
‘’Anija italiane kishte fikur prozhektorin që na vëzhgonte. Kur kemi kthyer kokën mbrapa shikojmë malin e anijes italiane. Ulëritëm, na goditi. I bëri një grop anijes këtu në fund rreth 50 cm. Anija u batua, unë personalisht u gjenda rreth 30 minuta larg anijes. Disa hipën mbi anije, rreth 15 veta. Anija u mbyt për 8 minuta. Anija italiane me pajisjet që kishte duhet ta gonxhonte anijen shqiptare, mos ta linte të vente në fund të detit. Por e pa që bëri një krim dhe donte të kishte sa më pak dëshmitarë dhe e la anijen të fundosej në fund të detit. Ne në ato momente ishim pothuajse të shkatërruar moralisht edhe psikologjikisht. Të shikosh një masakër nga një shtet që thotë që jam human, edhe këtej i bën një krim që i ndan njerëz të pafajshëm. Unë po notoja dhe vjen një vajzë që desh më mbyti. I them më kap në shpatulla që ta shpëtoja. Anija italiane na la një herë, donte të ikte, por u kthyer pas 10 minutash. Duke notuar unë kapem pas një litari. Ne shpëtuam 34 veta, 2 femra dhe pjesa tjetër ishin meshkuj. Unë humba gruan dhe fëmijën, ndërsa vëllai im humbi gruan dhe 3 fëmijët. Një masakër. Ne kërkojmë që shteti shqiptar të marrë në dorë menjëhërë mbrojtjen e kësaj tragjedie që e bëri shteti italian. Anijen që është në Otranto që prokuroria italiane e detyroi ta fshinte nga historia krimin që bëri, shteti nuk e kërkoi sepse ishte pronë e shteti shqiptar. T’i bënte një monument që t’ja kujtonte Italisë dhe brezave që do vinin se çfarë bëri Italia. Ne në këto 20 vite nuk kemi parë ndonjë drejtësi. Shteti i asaj kohe duhet të merrte në mbrojte të shqiptarëve që nuk është bërë edhe në këtë kohë’’,-u shpreh Xhavara.
Pas 20 viteve nga tragjedia Xhavara shprehet se nuk është bërë asgjë, dhe kjo çështje është lënë pas dore. Shumë vende të botës si Norvegjia kanë protestuar për këtë ngjarje dhe shteti shqiptar nuk ka bërë asgje.
Ai kërkon që kjo çështje të hapet dhe të diskutohet në parlamentit shqipta, pasi asnjëherë nuk është diskutuar për të drejtat e familjarve të tragjedisë së Otrantos. Në këtë tragjedi humbën jetën 81 persona, nga 115 që ishin në anije, 57 tupa u nxorrën nga fundi i detit , 24 rezultojnë të humbur, 34 prej tyre shpëtuan.