Deputetja e Partisë Demokratike si dhe ish kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Jozefina Topalli ka debatuar me një gazetar në Shkodër, ku dhe e ka kërcënuar këtë të fundit përmes frazave si “ do të të denoncoj” apo “ ta tregoj unë se kush jam” ose “çështjen do ta zgjidhim privatisht”.
Bëhet fjalë për korrespondetin e GSH në Shkodër, Mirsad Rrakaj i cili ka marrë një telefonatë nga deputetja Topalli.
Ja biseda mes tyre:
Topalli: Ti je Mirsadi?
Gazetari: Po, unë jam Mirsadi.
Topalli: Ke ba një lajm për mu.
Gazetari: Kam bërë një lajm ku banorët ju kanë implikuar ju, duke u shprehur se personi që do t’u marrë pronën ka mbështetjen tuaj.
Topalli: Për kët lajm që ke ba do të të padis në gjykatë, do bëj të paguash miliona.
Gazetari: Po tjetër?
Topalli: Përveç kësaj do të të tregoj unë ty se kush jam unë. Këtë çështje do ta zgjidhim privatisht.
Gazetari: Më vjen keq, kam 7-8 vjet që punoj gazetar dhe është e parë që presioni, dhe ky i parë, më vjen nga një femër.
Topalli: Ore ti, me kë tallesh?!
Gazetari: S’po tallem, po flas seriozisht. Nëse do, përgënjeshtroje lajmin në media, Unë këtë detyrë kam që të përcjell shqetësimet e qytetarëve. Nuk jam nga ata gazetarë që i ha presionet e kërcënimet dhe fjalën e lirë nuk ma ndalon asnjeri.
(Topalli i mbyll telefonin).









