Një 16-vjeçare, nga Tirana ka denoncuar në polici dhunën fizike dhe psikologjike të nënës së saj, gjatë kohës që babai ishte në emigracion. Para oficerëve të policisë dhe më pas në gjykatë, gjatë shqyrtimit të kërkesës për lëshimin e një urdhrimbrojtjeje, minorenia K.E. ka pretenduar se dhunohej pa shkak nga e ëma e saj, K.V.
Konflikti nënë e bijë kishte kulmuar në 8 mars ku ato janë sharë dhe ofenduar në sy të dy fëmijëve më të vegjël, pasi nëna 36-vjeçare i kërkonte minorenes “që ajo të mos i tregonte babait të saj se mami do të shkonte në Itali me të dashurin e saj”, raporton Panorama.
16-vjeçarja K.E. ka pohuar se në disa raste e ëma ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike, por ajo dhe dy fëmijët e tjerë e kanë duruar këtë sjellje, pasi nuk kishin prezent as babain e tyre. Në shpjegimet e dhëna në seancë, por edhe në denoncimin e saj në polici, 16-vjeçarja ka pohuar se dhunohej për shkaqe banale. Një nga incidentet e fundit ka ndodhur në muajin mars, ku mamaja e saj ka ardhur në shtëpi dhe ka ofenduar e dhunuar vajzën, e cila nuk ka pranuar faktin e ikjes së nënës në Itali pa lejen e të atit për 8 Marsin.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, e paditura nuk duhet të kërcënojë apo ngacmojë vajzën e saj të madhe. Njëkohësisht gjykata urdhëron të paditurën të mos afrohet apo të hyjë në banesën ku jetojnë fëmijët e saj dhe as në shkollën e tyre.