Një 43-vjeçar u la dje në masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 20-ditor nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vepra të turpshme”.
Sipas Prokurorisë, Artan Rrapushi dyshohet se ka konsumuar këtë vepër në dëm të një 13-vjeçareje, e cila është vajza e bashkëjetueses së tij. Akuza u mohua me forcë nga vetë i arrestuari, i cili tha se faktet e pretenduara në kallëzimin ndaj tij ishin të gjitha të rreme.
Gjykata e la të dyshuarin në një masë sigurimi shtrënguese me afat, kohë gjatë së cilës Prokuroria duhet të paraqesë disa akt-ekspertime mjekoligjore që do t’u nënshtrohet kallëzuesja e mitur.
Përfaqësuesja e Prokurorisë në sallën e gjyqit tha para gjykatës se 43-vjeçari ishte kallëzuar nga e mitura në Komisariatin e Policisë nr.3, në Tiranë. Në praninë e një psikologeje, e mitura ka pohuar se njerku i saj i ka kërkuar marrëdhënie seksuale, shkruan panorama.
Minorenia ka rrëfyer një episod ku, sipas saj, 43-vjeçari e ka tërhequr zvarrë në rrugë, i ka kërkuar marrëdhënie, si edhe e ka prekur në vende intime. Në kallëzimin e depozituar prej saj, minorenia ka pretenduar se veprime të tilla nga i dyshuari janë konsumuar edhe në raste të tjera.
Pretendimet e Prokurorisë u kundërshtuan nga i dyshuari Rrapushi. Duke folur me ton të lartë dhe nerv nga kafazi i sallës së gjyqit, ai mohoi gjithçka dëgjoi në kërkesën e Prokurorisë.
“Kam plot 11 vjet që bashkëjetoj me gruan time. Kur kam nisur të bashkëjetoj me të, e ka pasur vajzën e vogël një apo dy vjeçe. Unë e kam rritur atë. Dëshmia që lexoi prokurorja është e gjitha e rreme. Vajza ka tre muaj që nuk jeton më në shtëpi. Ajo jeton me tezen e saj dhe tezja e ka çuar të bëjë këtë kallëzim. Tezja e saj e ka nxjerrë në rrugë dhe e ka vënë të kërkojë kanoçe nëpër koshat e plehrave. Për këtë unë kam debatuar me të, se nuk dua që goca të kërkojë kanoçe në kosha plehrash. Unë e pranoj që kam debatuar me të. Një ditë e kam parë në Laprakë vajzën te plehrat dhe kam thënë që mos ma nxirr. I kam bërtitur disa herë edhe më parë, por nuk kam bërë asnjë gjë nga ato që thotë prokurorja”, deklaroi për gjykatën 43-vjeçari.
I dyshuari për “vepra të turpshme” ndaj vajzës së mitur të bashkëjetueses së tij, u arrestua në 2 gusht të këtij viti.
“Më datë 02.08.2016, u arrestua në flagrancë shtetasi Artan Rrapushi, 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ngacmuar seksualisht dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases së mitur, 13 vjeçe, banuese në Tiranë”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Në kallëzimin e saj, përveç pretendimeve për ngacmime, e mitura ka pohuar se edhe dhunohej fizikisht nga njerku.