Presidenti Hashim Thaçi e ka quajtur joserioz dhe të papërgjegjshëm kryeministrin, Ramush Haradinaj, duke i kërkuar të ketë një qasje shumë më të mençur. “Një kryeministër serioz nuk flet për luftëra dhe tragjedi, por kujdeset për reforma. Ka dështuar ta bëjë në javët dhe muajt e fundit. Nuk jam i shqetësuar për deklaratat populiste. Do të luaj rolin udhëheqës, dhe obligimeve të mia në procesin e dialogut. Unë jam duke udhëhequr negociatat dhe jo kryeministri. I kërkoj një qasje shumë më të mençur. Kryeministri mundet dhe ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat për dialogun”, është shprehur presidenti Thaçi në një konferencë për medie, raporton EkonomiaOnline.
Thaçi ftoi pozitën dhe opozitën të nxjerrin një rezolutë që hap perspektivë. “Çdo rezolutë që respekton ligjet e Kosovës do ta ketë përkrahjen e plotë. Një rezolutë s’mund të dalë mbi Kushtetutën. Ftoj pozitën e opozitën të nxjerrin një rezolutë e cila hap perspektivë dhe marrjen e përgjegjësive”, tha Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se ideja e korrigjimit të kufijve tashmë “ka vdekur” dhe u ka shprehur ngushëllime atyre që kanë pasur pretendime për ndryshim të territoreve. Sipas presidentit Thaçi, dialogu nuk ka vdekur, por ai është në një fazë të rëndësishme.
“Dialogu nuk ka vdekur, është në një fazë të rëndësishme. Është deklaratë interesante e kryeministrit që tregon se është në humor të mirë ose ndihet komod në karrigen e vet. Kam pritur nga ai të jetë më racional dhe i përgjegjshëm. Sa për ngushëllim, i ngushëlloj ata që punojnë për ndarje dhe asociacion me elemente ekzekutive”, theksoi Thaçi, përgatiti Koha. (b.an)