Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rikthyer idenë e tij të pazakontë për ta riemërtuar Oqeanin Atlantik në “Oqeani Amerikan”, duke zbuluar prapaskenat e një bisede me kreun e kompanisë teknologjike Google.
Gjatë një tubimi me mbështetësit republikanë në Misisipi, Trump u shpreh se Shteteve të Bashkuara të Amerikës u duhen “një oqean dhe një lumë”, për t’iu përshtatur gjirit dhe liqenit që ai tashmë ka tentuar t’i riemërtojë përmes vendimeve ekzekutive.
Megjithatë, ky propozim i tij duket se ka hasur në një pengesë të papritur nga vetë gjiganti teknologjik Google.
Duke folur rreth kësaj çështjeje, presidenti amerikan bëri të ditur se kishte kontaktuar personalisht drejtorin ekzekutiv të Google, Sundar Pichai, për të parë nëse kompania mund ta pasqyronte këtë ndryshim në platformat e saj si Google Maps.
“Më pëlqejnë vetëm dy oqeane: Oqeani Atlantik dhe Oqeani Paqësor. Nuk kam ndërmend t’i vë emrin ‘Trump’ apo ‘Amerikë’ asnjë oqeani tjetër përveç këtyre dyve. Kështu që e shqyrtuam seriozisht Oqeanin Atlantik dhe telefonova Google Maps. I thashë: ‘Sundar, po mendoj për Oqeanin Atlantik’”, ka deklaruar Trump.
Sipas rrëfimit të Trumpit, përgjigjja e kreut të Google ishte e prerë dhe negative.
“Jo, jo, jo. Këtë herë nuk mund ta bëj. Oqeanet janë ndryshe, zotëri. Ato mbulojnë shumë vende. Ju lutem, mos na kërkoni ta bëjmë këtë”, i kishte thënë Pichai.
Pas këtij refuzimi, Trump la të kuptohet para mbështetësve se ka vendosur të heqë dorë nga plani.
“Pra, ndoshta do të heq dorë. A duhet të heq dorë? Mendoj se më mirë ta lëmë Oqeani Atlantik”, tha ai.
Kjo nuk është hera e parë që Trump bën lëvizje të tilla në hartën gjeografike.
Më parë, ai kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv për t’iu referuar Gjirit të Meksikës si “Gjiri i Amerikës”, si dhe kishte iniciuar ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në “Liqeni i Amerikës” gjatë mosmarrëveshjeve tregtare me Kanadanë, duke detyruar agjencitë federale amerikane të përdornin emërtimet e reja.
The post Telefonata me drejtorin e Google, Trump heq dorë nga ideja për të riemërtuar Oqeanin Atlantik në Oqeanin Amerikan appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë











