Kreu i PD Sali Berisha në intervistën e dhënë për Klan News foli edhe për protestat e studentëve, që kanë përfshirë Tiranën.
Berisha u shpreh se policët e Ramës janë narko-banditë e mercenarë, që dhunuan si kafshë studentët.
Foli edhe për incidentin me deputetin e PD Klevis Balliu, që u raportua se u hodh në Lanë nga protestues. Berisha tha se këtë incident e ka bërë një agjente e policisë kriminale.
U pyet edhe për 21 Janarin, ku Berisha theksoi se protestat në atë kohë “lindën” nga një video, që sipas tij, ishte tërësisht e falsifikuar. Për Berishën, më 21 janar, armët e zjarrit janë përdorur tërësisht në përputhje me ligjin.
“Protesta e 21 Janarit bazohej në një video të montuar, u krijua në një falsitet. Aty lakohej një njeri, që nuk kishte lidhje fare. Në 21 janar, policia mbajti qëndrim ligjor, 120 policë janë plagosur atë ditë dhe efektivët kanë marrë përgëzime nga gjithë ndërkombëtarët. Armët e zjarrit janë përdorur në përputhje me ligjin. Në atë kohë ka qenë prokurore një kundërshtare e imja”, u shpreh Berisha.
Më tej, theksoi se Rama, njësoj si etërit e tij sheh forca të huaja gjithandej. Sipas tij, kryeministri kontrollon edhe drejtësinë e re.
“Rama flet si etërit e tij, që gjen “të këqijtë” jashtë vendit. Kjo, sepse nuk pranon dot barbarinë e kryera mbi studentët. Por, Rama do e paguajë. Ne si PD respektojmë pronën private, Dora e zezë e Edi Ramës kontrollon edhe drejtësinë e re”, deklaroi Berisha.











