Një ngjarje e rëndë është shënuar në 9 mars në lagjen “Guerrile” në Shkodër. Një person u shpall në kërkim, ndërsa një tjetër u arrestua, pasi njëri prej tyre qëlloi me armë zjarri gjatë ndjekjes nga policia.
Uniformat blu njoftuan se rreth orës 15:10 i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit ku lëviznin dy personat me qëllim kryerjen e kontrolleve ndaj tyre. Por drejtuesi i makinës nuk i është bindur urdhrit dhe ka shtuar shpejtësinë duke kryer manovra të rrezikshme.
Për këtë arsye, efektivët i janë vënë në ndjekje automjetit. Por gjatë kësaj kohe dyshohet se pasagjeri duke u larguar ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri, dhe më pas është larguar. Në pranga u vu shoferi i makinës teksa policia njoftoi se nuk i bën të ditura inicialet për shkak të konfidencialitetit të hetimit.
“Ndërkaq, vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit”, njoftoi policia.
Tërhiqet policia, nuk arreston personin që qëlloi me armë
Policia është tërhequr në orët e mbrëmjes nga lagjja Kiras në Shkodër, pasi nuk ka arritur të arrestojë personin e dyshuar që qëlloi me armë zjarri në ajër në praninë e forcave policore. Sipas burimeve, bëhet fjalë për shtetasin B.B., i cili dyshohet se ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Ai vijon të jetë në kërkim nga policia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10, kur shërbimet e Policisë, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, i bënë shenjë ndalimi një automjeti me dy persona brenda për kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit të policisë, por shtoi shpejtësinë dhe kreu manovra të rrezikshme, duke detyruar efektivët ta ndjekin.
Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri i automjetit, B.B., qëlloi një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Policia arriti të ndalojë drejtuesin e automjetit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik për shkak të hetimeve, ndërsa dhjetëra forca policie rrethuan zonën e Kirasit dhe zhvilluan kontrolle për disa orë me masa të rrepta sigurie. Megjithatë, pas disa orësh operacion, autoritetet janë tërhequr nga zona, pa mundur të kapin personin e dyshuar.
Në momentin kur ka qëlluar efektivët e shërbimit kanë kërkuar forca mbështetëse, për shkak se bëhej fjalë për një person të dyshuar me rrezikshmëri të lartë, por derisa kanë mbërritur trupa të tjerë të policisë, ka mjaftuar që B.B. të largohet në drejtim të paditur.
Dyshimet e policisë janë se B.B mund të ketë shfrytëzuar komunikimin e brendshëm mes oborreve dhe bahçeve të shtëpive në Kiras, të cilët dyshohet se kanë dyer të brendshme, gjë e cila e ka favorizuar atë që të arratiset. Policia përveç forcave të shumta shtesë, përdori edhe dronin nga ajri për kontrollin e zones, por pa arritur që ta lokalizojë B.B.
Në banesën ku u mendua se fshihej për momentin, policia nuk e gjeti aty, pavarësisht kontrolleve. Policia bën të ditur se vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e B.B., ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. B.B mësohet se është shpallur në kërkim nga shtatori 2025, për atentatin ndaj E.B., ku ky i fundit u plagos.
Policia: Në pranga shoferi i makinës dhe pasagjeri
Policia njofton sot në 10 mars se nga operacioni i policisë kanë arrestuar shoferin e makinës dhe një pasagjer 17-vjeçar. Ndërsa, B.B, që qëlloi me armë zjarri, është shpallur në kërkim.
“Shkodër/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e rastit të pasdites së djeshme, në lagjen “Guerrile”, ku u kanosën me armë zjarri, punonjës të Policisë, gjatë ndjekjes së një automjeti.
Arrestohen drejtuesi dhe pasagjeri (i mitur) në automjetin me të cilin lëvizte 40-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, në ajër, për të kanosur punonjësit e Policisë. Identifikohet dhe shpallet në kërkim 40-vjeçari, shtetas me precedent të theksuar për disa veprimtari kriminale. Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë) me municion, e përdorur në këtë rast.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, të kryera per sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e autorësisë së rastit të datës 09.03.2026, kur rreth orës 15:10, në lagjen “Guerrile”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policise Shkoder zhvilluan operacionin e koduar “Risku”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi E. B., 43 vjeç dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. B., 40 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje. Dje, gjatë patrullimit në këtë zonë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari dhe kishte pasagjerë të miturin dhe shtetasin e shpallur në kërkim.
43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, shtetasi B. B. dyshohet se ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë), ne ajer me qëllim kanosjen e punonjësve të Policisë.
Arma e zjarrit me municion e dyshuar e përdorur nga shtetasi B. B., u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volksëagen Seat” me të cilin leviznin këta shtetas. Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit B. B..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit””, njofton policia.
Kush është personi që qëlloi me armë ndaj policisë
B.B. është një emër mjaft i njohur për autoritetet policore të Shkodrës për aktivitetet e tij të lidhura me krimin e organizuar dhe përdorimin e armëve. Ai u bë objekt i vëmendjes së mediave dhe policisë dje, kur u përfshi në një incident të rrezikshëm në Kiras të Shkodrës, ku dyshohet se qëlloi me armë zjarri në ajër për të shmangur ndjekjen policore. Në këtë aksion ai ishte në bashkëpunim me persona të tjerë, që janë arrestuar.
B.B. u shpall në kërkim një ditë pas një ngjarjeje të rëndë kriminale që tronditi qytetin e Shkodrës më 8 shtator 2025, kur dy persona, L.K. dhe A.P., humbën jetën në një vrasje të dyfishtë, ndërsa një kameriere u plagos aksidentalisht. Autor i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë R.G., ndërsa B.B. akuzohet se i kishte siguruar armën përdorur në vrasje. Përplasja e dhunshme kishte në shënjestër E.B., i cili ishte target i incidentit.
B.B. është i njohur prej vitesh nga policia e Shkodrës për aktivitetet e tij kriminale, sidomos në fushën e narkotikëve, por jo vetëm. Ai është konsideruar një nga figurat kyçe që ka kryer vrasje për llogari të një grupi të të njohur kriminal. Në vitin 2012, ai ndryshoi emrin, një lëvizje që sipas hetuesve lidhej me tentativën për të shmangur gjurmët e së kaluarës së tij penale.
Përveç lidhjes me vrasjet dhe aktivitetet kriminale, B.B është dyshuar edhe për trafikun e lëndëve narkotike dhe për disa ngjarje të tjera të rënda kriminale që kanë ndodhur në qarkun e Shkodrës gjatë viteve të fundit. Ai ishte arrestuar në 4 maj 2019 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku ai u kap pas një periudhe të gjatë ndjekjeje. Në atë kohë, rezultonte se kishte marrë dënim prej katër vitesh burg për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim, një veprim i kryer në vitin 2016, dhe gjithashtu kishte masa sigurie aktive për armëmbajtje pa leje.
Historia e tij me policinë nuk është e shkurtër. Në shtator të vitit 2018, pas vrasjes së F.L., në banesat e fisit L. u gjet një armë automatike, ku ekspertiza kriminalistike evidentoi gjurmët e gishtave të B.B, duke e lidhur drejtpërdrejt me veprimet kriminale. Arrestimi i tij në 2019 u krye nga RENEA, në një operacion të sofistikuar me snajperë të vendosur në vende strategjike të ndërtesave për të ndaluar çdo tentativë arratisjeje, dhe në pranga ra edhe një bashkëpunëtor i tij, B.Ç. nga Shkodra, i cili kishte ndihmuar B.B të fshihej.











