Nga Shpëtim Nazarko
Siç e kam shkruar dhe përsëritur pak më parë, shpërndarja e tymit pas marrëveshjes Rama-Basha do të nxirrte drejpërdrejt në pah se PD-ja nuk kishte fituar ndonjë gjë në planin praktik.
Marrëveshja nxori në pah mosorganizimin e plotë të PD-së, një partie që kishte katër vjet në dispozicion për të ndrequr gabimet dhe dobësitë gjatë qeverisjes tetëvjeçare apo përveshjes së një organizimi që do të ishte shumë i thellë.
Përtej arsyeve të njohura apo historike, duket se analistëve u ka shpëtuar një argument që duket fare i parëndësishëm, kur analizojnë rrëmujën e shfaqur këto ditë. Thuajse të gjithë mendojnë se ajo vjen prej një liste të Bashës, që nuk ka përfshirë në të të vjetrit e partisë dhe akoma, edhe prej renditjes që ka bërë në listat për deputetë.
Logjika e përdorur është në përgjithësi e drejtë, nëse nisemi nga mënyra e zhvillimit të ngjarjeve apo politikës së njëzet e pesë viteve të fundit. Në planin praktik, deputetët shumëvjeçarë të partive, me gjithë kontributin minimal, qoftë edhe në rrafshin e ideve, kishin krijuar feude të veçanta në qytetet apo qarqet e tyre. Në trajtën e rrjetave, këto feude mobilizonin jo vetëm militantët e zakonshëm, por jepnin edhe sigurinë përkatëse për një jetë po të tillë.
Diskutimin mund ta zhvendosim edhe në planin teorik. Në një bisedë të gjatë dikur, me senatorin e përjetshëm Andreotti, e pyeta se çfarë mendonte ai për heqjen nga skena menjëherë të ish-komunistit Ramiz Alia, që u bë edhe Presidenti i parë i pluralizmit, apo për Gorbaçovin e famshëm.
Përgjigjja e tij, si gjithnjë e hollë, por asnjëherë e formës direkte, ishte e tillë: Dëgjo! Një bankë, apo një ndërmarrje, apo qoftë edhe një parlament, mund ta krijosh edhe për 24 orë, por një klasë politike të duhet shumë kohë ta përgatitësh.
Përgjigjja natyrsht është e tipit klasik, por nuk vlen shumë për vendin tonë. Klasa politike e Shqipërisë, e majtë apo e djathtë, i ka shkaktuar aq dëme vendit sa rregulla e Andreottit nuk do të kishte shumë vlerë. Akoma më shumë, kur kjo klasë nuk është se ka përfaqësuar grupacione të caktuara shoqërore, ekonomike etj. Ajo është shndërruar gradualisht në një grup feudalësh, që kanë pak ose aspak punë, jo vetëm me grupet e përmendura, por edhe me vetë vendin.
Nuk ka ndonjë çudi pse kjo klasë politike, ashtu si dhe shtypi apo pjesë të tjera të shoqërisë, të përjetojnë po ashtu si PD një krizë të thellë. Jam i sigurt që kjo krizë do të ndihet shumë pak kohë pas zgjedhjeve…dhe me një forcë që do të duket shumë më e madhe nga sa e mendojmë.
Po le t’i kthehemi analizës. Cili është faktori që i ka shpëtuar edhe analistëve në atë që shoqëroi çoroditjen e radhës e që së pari po reflektohet te PD?
Ka pasur një lidhje të fortë në Shqipëri midis zgjedhjeve kombëtare edhe lokale. Partitë e mëdha përdornin ato të voglat në zgjedhjet kombëtare dhe pastaj i shpërblenin ato në zgjedhje lokale. Ndodhte shpesh që partitë e mëdha renditeshin shumë më poshtë të voglave. Në gjykimin e thjeshtë, duket sikur kjo ishte e parëndësshme, por nuk është kështu. Partiakët lokalë të vendosur në 400 komuna, faktikisht kishin në dorë realisht fatet e vendit në pjesën më të madhe të tij. Për të kuptuar këtë të vërtetë të thjeshtë, mjafton t’i hedhësh një sy zonës së Farkës apo Golemit. Batërdia e madhe në ndarjen e pronave, të pyjeve, të kullotave, apo të zonave të ndërtimit që u liheshin në dorë këtyre zyrtarëve të vegjël, është një faktor që Shqipëria do ta vuajë për vite të tëra.
Në interes të temës sonë, duhet të themi se kalimi nga 400 komuna në 60, pavarësisht mosrealizimeve fillestare, pa diskutim i dha fund së pari kësaj çmendurie që shkatërronte pa pushim pasurinë kombëtare. Ndërkaq, në planin politik, ajo hoqi nga loja, jo vetëm një mizëri militantësh dhe zyrtarësh lokalë, por dhe batalionet e pafundme të militantëve që ato krijonin duke qenë pjesëmarrës të kësaj batërdie.
Për mua që e vlerësoj reformën territoriale si më të rëndësishme se atë të drejtësisë, një argument i tillë është i mjaftueshëm për të treguar se partitë e vjetra do të pësojnë më shumë sesa duket. Po i rëndësishëm është përfundimi dhe jo fatet e tyre…
Rama pa diskutim që e ka llogaritur një pasojë të tillë, kur dha karamelen e parë që faktikisht rifuti në lojë PD-në. Një analist i vëmendshëm mund të thotë që kjo reformë pa diskutim do të dëmtojë edhe vetë Ramën apo partinë e tij. Po siç thashë pak më sipër, a është e rëndësishme kjo për shoqërinë. Mendoj se aspak. Kjo rrugë evolucionare, nëse bëhet me ndërgjegje prej autorit, mjafton të modernizojë shoqërinë.
Rama e di këtë histori dhe i ka dalë përpara dëmeve që mund të reflektoheshin tek partia e tij. Prandaj, si dikur, kur në krye të Bashkisë së Tiranës kur filloi të mbillte pemë më shumë se parardhësit, këtë teknikë po ia injekton atij që ka vendosur në krye të Tiranës.
Është një lojë politike që nuk para kuptohet, veçanërisht kur edhe analistët mendohen për gjëra të mëdha apo të dukshme. Për mendjen time nuk është kështu. Edhe politika, për qendrat e qyteteve të mëdha apo të vogla, është brenda të njëjtës logjikë.
Po cila mund të jetë karamelja tjetër e Ramës që do të hedhë në treg?
Kundër mendimit të përgjithshëm që ka filluar të propagandojë një aleancë të mundshme PS-PD, Rama thekson se kundërshtarët poltikë duhet ta harrojnë një aleancë të tillë.
Mendoj se karamelja e dytë e tij do të funksionojë dhe ai do ta hedhë atë prapë në treg. Një aleancë me PD-në duke e rimbajtur me zor në lojë, do ta ndihmonte vendin të çelte negociatat me Evropën. Përfitimet do të ishin të mëdha për vendin dhe natyrisht për ideatorin e kësaj manovre. Shqipëria do të realizonte një Reformë Kushtetuese dhe ndoshta më në fund do të hidhte themelet e strategjisë kombëtare.
Përsëri pyetja do të shtrohet. A do ta dëmtonte kjo Partinë Socialiste? Mendoj se tani që barrierat ideologjike kanë rënë dhe veç militantëve, asnjërit nuk i bën më përshtypje se çfarë bëjnë partitë apo kryetarët e tyre në këtë apo atë aleancë ideologjike. Në planin e përgjithshëm nuk kemi pse të shqetësohemi. Nëse Shqipëria nis procesin e futjes së sigurt në Evropë, bën reformën kushtetuese, modernizon arsimin profesional dhe ndërton strategjinë kombëtare, le të bëjë çfarë të dojë me fatin e tij personal. Ai ndoshta mund të jetë i hidhur për çastin, por për të tjerët kjo nuk ka pse të ketë rëndësi. Ndërkaq, besoj se intuita e njerëzve e kupton shkëlqyeshëm edhe kur ne na duket e çuditshme një manovër politike.
Ata e kuptojnë më mirë se të gjithë analistët apo institutet e specializuara se kush e bën dhe pse po e bën këtë manovër.
A do ta hedhë karamelen e dytë Rama? Besoj se mund ta bëjë dhe ata që do të ndihen të çuditur, do të jenë ndoshta miltantët qorra apo burokratët e vegjël që ëndërrojnë vetëm atë karrigen e vogël…
Siç e kam shkruajtur dhe ditë më parë, Rama është duke bërë bast me veten, por dhe me historinë. A ka të drejtë, apo a do ta fitojë këtë bast? Koha do ta tregojë. Në periudha të veçanta, kur shoqëria është kalbur në të gjitha drejtimet, roli i individëve është domosdoshmëri jetike, ndërsa fati i tyre personal është thjesht i parëndësishëm. /Konica.al
RAMA DO BEJ SHTET DHE ESHT I VETMI E KA DEMOSTRUAR ME BASHKINE E TIRANES QE ISHTE KTHYR NE BARAKE.